Analistët e huaj parashikojnë shtrenjtim të mëtejmë të naftës, ja shkaqet

Disa analistë kanë parashikuar se çmimet e karburanteve, të cilat gjatë vitit 2021 u rritën për 50 për qind, do të shtrenjtohen edhe më tutje këtë vit, duke thënë se mungesa e kapacitetit prodhues dhe investimet e kufizuara në këtë sektor mund ta çojnë në 100 dollarë çmimin për një fuçi nafte.

Ndonëse varianti Omicron i koronavirusit e ka çuar shkallën e infeksioneve më lart se kulmi i vitit të kaluar, analistët thonë se çmimet e larta të karburanteve do të mbështeten te ngurrimi i shumë shteteve për t’i kthyer në fuqi masat e rrepta kufizuese, të cilat e kishin goditur ekonominë botërore në fillim të pandemisë

Çmimi i naftës së papërpunuar në bursën Brent shkoi në mbi 84 dollarë për fuçi të mërkurën, duke e arritur nivelin më të lartë në dy muajt e fundit, shkruan Reuters, përcjell/

“Duke supozuar që Kina nuk pëson ngadalësim të ndjeshëm, që varianti Omicron në të vërtet bëhet Omi-gone (i shkuar), dhe me aftësinë qartazi të kufizuar të organizatës OPEC+ për ta shtuar prodhimin, nuk shoh arsye pse nafta e papërpunuar në Brent të mos shkojë drejt 100-dollarëshit në çerekun e parë të vitit, me gjasë edhe më herët”, tha Jeffrey Halley, analist i lartë i tregut në “OANDA”.

Ministri i Naftës i Omanit, Mohammed Al Rumhi, citohet të ketë thënë: “Nuk duam ta shohim një fuçi për 100 dollarë. Bota nuk është e gatshme për këtë.”

Kompania amerikane për shërbime financiare, “Morgan Stanley”, parashikon që çmimi i naftës së papërpunuar në bursën Brent të shkojë në 90 dollarë për fuçi në çerekun e tretë të këtij viti.

Analistët e kompanisë “J.P. Morgan” gjithashtu presin që çmimi i naftës të shkojë në 90 dollarë për fuçi deri në fund të vitit.