Lily James e lumtur me portretizimin e Pamela Andersonit në serialin e ri

Aktorja e njohur hollywoodiane, Lily James, thotë se është ndier e çliruar gjatë kohës sa e ka portretizuar Pamela Andersonin.

32-vjeçarja James e portretizon yllin e serialit “Baywatch” në mini-serialin e ri të platformës Hulu, “Pam & Tommy’, i cili fokusohet në shpërndarjen e videos së vitit 1995, ku çifti i asaj kohe shihet duke kryer marrëdhënie seksuale.

Edhe pse asaj i ishte dashur t’i kalojë katër orë çdo ditë në dhomën e grimit për t’iu nënshtruar transformimit fizik, Lily tha se është ndier e çliruar për faktin se dukej aq ndryshe nga vetvetja.

“Dhe pastaj, sigurisht, ishte transformimi fizik. Ngadalë, ekipi ynë i jashtëzakonshëm gjeti një ekuilibër ku unë i ngjasoja Pamelas, por gjithashtu ndihesha rehat gjatë interpretimit të rolit. Kurrë më parë nuk kam bërë ndonjë projekt të tillë ku dukem shumë ndryshe nga vetja. Dhe vërtet do të doja të vazhdoja në këtë drejtim, sepse u ndjeva shumë e çliruar falë këtij roli. Nga zhdukja e tipareve të mia më erdhi një lloj guximi dhe trimërie”.

Tutje, Lily James e pranoi se kurrë më parë nuk kishte punuar më shumë se në këtë projekt, dhe ka bërë hulumtime të thella mbi bukuroshen bionde.

“Unë kurrë nuk kam punuar kaq shumë. I kam lexuar të gjithë librat që Anderon i ka shkruar, lexova poezitë e saj dhe mund t’i citojë të gjitha intervistat e saj përmendësh”, deklaroi James për revistën “PORTER”.

Ylli i filmit “Mamma Mia 2: Here We Go Again”, tutje tregoi se e kishte të vështirë ta largonte nga vetja këtë personazh, pas përfundimit të xhirimeve.

Ndërkaq kolegu i Jamesit në serial, aktori Sebastian Stan i cili e portretizon rolin e muzikantit Tommy Lee, ka deklaruar se nuk e kishte njohur aktoren britanike kur e kishte takuar për herë të parë pa kostum.