Kosova e sheh mesazh të fuqishëm të Bidenit emërimin e Hovenierit ambasador

Emërimi i Jeffrey Hovenierit ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë po shihet si mesazh i fuqishëm i presidentit Joe Biden për Kosovën, në sytë e ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla.

Në një shkrim në Facebook, Gërvalla teksa i ka uruar mirëseardhje në Kosovë Hovenierit, ka thënë se ai është njohës dhe mik i dëshmuar i Kosovës.

Emërimi pikërisht i ambasadorit Jeffrey Hovenier, një njohësi dhe miku të dëshmuar të Kosovës, mund të kuptohet si një mesazh i fuqishëm i Presidentit Biden drejtuar qytetarëve të vendit tonë”, ka thënë ajo në një shkrim në Facebook. “Ambasadori Hovenier ka një përvojë të pasur në rajonin tonë. Si pjesë e delegacionit amerikan në Rambuje, Ambasadori Hovenier i përket asaj plejade të politikanëve dhe diplomatëve amerikanë, të cilët në orët më të vështira ndihmuan në shpëtimin e Kosovës dhe trasimin e lirisë dhe pavarësisë së saj. Kurrë nuk do ta harrojmë këtë kontribut, ashtu si edhe Amerika nuk na harroi asnjëherë.

Hovenier të hënën dorëzoi letrat kredenciale te presidentja Vjosa Osmani. Në ditën e parë, ai fokusin e angazhimit e vendosi te punët e papërfunduara që ka Kosova. Pas takimit me presidenten Osmani, Hoveiner bëri homazhi të varri i presidentit, Ibrahim Rugova, ndërsa agjendën e takimeve e përfundoi me kryeministrin Albin Kurti. Kryeministri foli më shumë për problemet e brendshme të cilat mund të adresohen në koordinim me ambasadorin e ri amerikan.

Njohës të çështjeve diplomatike emërimin e Hovenierit e kanë parë si pjesë paralajmëruese e fushatës intenzive që mund të vijë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi.

Hovenier u emërua në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021 dhe u konfirmua unanimisht nga Senati i SHBA-së më 18 nëntor.

Pjesa më e madhe e karrierës së tij është fokusuar në çështje të sigurisë në Evropë dhe Euroazi. Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri si ambasador, Hovenier shërbeu si zëvendësshef i misionit në Ambasadën e SHBA-së në Ankara. Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai, Peru, Serbi dhe Mal të Zi.