Nënkryetar i Prizrenit emërohet Kujtim Gashi

Kujtim Gashi emërohet nënkryetar i Prizrenit.

Kryetari i Prizrenit nga Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj, sot ka filluar me emërimet në pozita politike në kabinetin e tij. Kujtim Gashi është emëruar nënkryetar i Komunës.

“Kujtim Gashi është nënkryetar i degës së PDK-së në Prizren, anëtar i Kryesisë Qendrore dhe ka qenë shef i Shtabit zgjedhor në zgjedhjet e fundit lokale. Gashi ka mbajtur pozita të rëndësishme në nivel qendror dhe lokal, ka përvojë politike mbi 20-vjeçare. Poashtu, Gashi është njohës shumë i mirë i politikave lokale, duke qenë asambleist për tre mandate, kryesues për një mandat dhe ka gjashtë vite përvojë pune në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ai ka qenë dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet në njoftim.

Përvoja e Gashit si kryesues i Asamblesë së Prizrenit nuk ishte edhe aq e mirë. Ai ishte akuzuar se në vitet 2015 dhe 2016, kishte lidhur kontratë për transmetim dhe ritransmetim të seancave me “TV Besën” në shumë prej 250 euro për çdo seancë, dhe kontratë 400-euroshe me “TV Opinion” për transmetim të seancave. Gjithsej për dy televizionet ishin paguar 8450 euro, por Gjykata Themelore në Prizren nuk ia doli të gjente provat e mjaftueshme dhe ish-deputeti u lirua nga akuzat.