Një alarm i tretë për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, ka aktivizuar Policinë e Kosovës. Por, alarmi për bombë të premten doli të ishte i rrejshëm, për herën e tretë.
Këtë e konfirmoi Policia e Kosovës, e cila ka thënë se pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente të Policisë së Kosovës nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Kështu rasti është iniciuar si “lajmërim i rremë”.
Policia tregoi se informata i erdhi nga një telefonatë anonime.
“Rreth orës 12:30, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërrmarë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës. Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë. Hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm“, kanë deklaruar nga Policia.
Duke komentuar këto alarme, eksperti i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, ka treguar se si duhet të veprohet në këtë rast.
“Lajmërimet e tilla duhet të analizohen: 1. Nga cili numër po bëhet thirrja; 2. Nga cili vend është bërë thirrja në bazë të frekuencave që përdoren për thirrje; 3. Personi fizik apo juridim që është pronar i numrit të analizohet dhe hetohet se a ka lidhje me ndonjë grup kriminal/terrorist“, ka thënë Shala..
Eksperti ka vlerësuar punën e Policisë së Kosovës, duke thënë se u tregua tejet profesionale. “Organet e rendit janë duke punuar dhe reaguar në aspektin tejet profesional dhe çdo thirrje është duke iu përgjigjur në kohë“, ka vlerësuar ai.
Mirëpo, sipas tij, PK-ja duhet të gjejë sa më shpejtë pronarin e numrit nga i cili janë dhënë alarmet e rrejshme. Vetëm atëherë, sipas Shalës, do të mund të identifikohet se a bëhet fjalë për agresion të jashtëm.
“Duhet që sa më parë që është e mundur të gjendet pronari i numrit dhe pastaj të kemi një pasqyrë edhe më të lehtë për të vepruar nëse ka indikacione edhe me strukturat tjera ndërkombëtare të sigurisë në vend, por edhe më gjerë nëse indentifikohet që kemi të bëjmë me ndonjë agresion të jashtëm“, ka theksuar Drizan Shala për “Bota sot“.
Alarmet e rrejshme kanë shqetësuar udhëtarët në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.