Ministër Elbert Krasniqi flet për ‘Zajednicën’: Ka një premtim për komunat e Kosovës

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaron prerazi se nuk ka asnjë hapësirë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai shton se nuk mund të ketë etnitete njëetnike në një shtet multietnik si Kosova. Në një intervistë për KosovaPress, ministri flet edhe për grantin e katërt për komunat, bashkëpunimin me kryetarët e zjgedhur të komunave si dhe ndryshimet që priten në Ligjin për vetëqeverisje lokale.

Pavarësisht humbjes së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, Krasniqi iu premton komunave implementimin e grantit të katërt. Ai thotë se rezultatet e zgjedhjeve nuk do të kenë asnjë ndikim në zbatimin e këtij premtimi të kahershëm, por do të bazohet vetëm në merita dhe performancën e komunave.
“Granti i katërt është proces, është pjesë e Ligjit të financave të pushtetit lokal. […] Jo absolutisht, përpos që nuk do të kenë ndikim rezultatet e zgjedhjeve lokale, nuk do të ketë ndikim as granti i katërt në këto programe. Ne i kemi planifikuar bashkë me Ministrinë e Financave, shembull Ligji për grantin e performancës i referohet grantit të përgjithshëm të komunave dhe parasheh derisa mund të rritet ky grant, i cili është deri 2.5 përqind të grantit të përgjithshëm të komunave”, thotë ai.

 

Krasniqi thotë se nismat e tij ligjore për plotësim-ndryshimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe Projektligji për menaxhimin e performancës komunale do të korrigjojnë mangësitë e së kaluarës dhe përmirësojnë efikasitetin e komunave.

“Ideja është se nuk preket substacianlisht vetëqeverisja lokale, por korrigjohen disa mangësi që vijnë nga vlerësimi ekspost i ligjit, por edhe përvoja jonë profesionale edhe me komunat dhe në ministri. Sqarohen situatat, rregullohen raportet edhe mes organeve të komunave, shkurtohen afatet ligjore për përgjigje nga ministria, rregullohet çështja e nënkryetarit të asamblesë komunale, rregullohet situata të emërimit të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve, mbi të gjitha ky ligj nuk lenë hapësirë asnjë kuvend i asnjë komune në Kosovë të sfidojë ndonjë parim kushtetues”, shton ai<

Ai është optimist për miratimin e ligjeve për vetëqeverisjen lokale, ani pse nevojiten dy të tretat edhe nga komunitetet në Kuvend.

Ministri thotë se nuk do të shantazhohen nga asnjë komunitet tjetër për Asociacionin, derisa nënvizon se Kosova është shtet multietnik dhe s’ka hapësirë për etnitete njëetnike.

 “Ne kemi përgatitur ligjin në atë formë siç është paraparë në nismat ligjore, është e vetëdijshme se ky ligj është ndër ligjet më vitale dhe kërkon dy të tretën në Kuvendin e Kosovës dhe unë jam optimist se do të votohet, mirëpo kjo mbetet të shihet në Kuvend. […] Duhet të kuptohet një herë e mirë se Kosova është ndërtuar si shtet i gjithë qytetarëve në frymën multientike. Në një shtet multietnik nuk ka hapësirë për Asociacion dhe etnitete njëetnike. Kjo është edhe një herë e rëndësishme kur merret për bazë edhe opinioni i komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë”, deklaroi Krasniqi.Duke shpalosur prioritetet e tij, ministri Krasniqi iu premton bashkëpunim më të madh kryetarëve të komunave.
“Bashkëpunimi është i mirë, por gjithmonë ka hapësirë për përmirësim. Tash si ministër, por edhe si komuna besoj se do të kemi mundësi të takohemi më shumë edhe të diskutojmë më shumë. Ne kemi pas takime të rregullt edhe në kuadër të programeve tona, komunikimi është në baza ditore, administrata jonë monitoron procesin në nivelin lokal është në mbështetje të komunave. […] Unë kryetarëve të komunave dhe të gjithë qytetarëve banorë të komunave, iu premtoj se do të angazhohemi si qeveri që të ofrojmë partneritet dhe bashkëpunim më të mirë me kryetarët dhe të zgjedhurit e tyre në mënyrë që të zhvillojmë më mirë demokracinë lokale dhe zhvillimin lokal”, thotë ai.

Krahas këtyre, ministri Krasniqi kërkon që në kuadër të festave kombëtare të përfshihet edhe Dita memoriale e Komunitetit Egjiptian më 24 qershor.

“Nuk po flasim për diçka që të jetë ashtu mundësi me përzgjedh, por po flasim për një obligim kushtetues që e ka shteti i Kosovës në raport me qytetarët e secilit grup etnik. Ne si komunitet nuk e gëzojmë këtë të drejtë dhe kjo është një e drejtë e jona legjitime që Ligji për festat kombëtare të ketë edhe 24 qershorin si Ditë memorialë të Komunitetit Egjiptian. Edhe në atë kohë Lista Serbe nuk e ka votuar, tani në situatën aktuale nuk qëndrojnë në sallë kur vjen rendi për këtë ligj. Ky është një reflektim shumë i rëndësishëm, jo vetëm i komunitetit tonë, por edhe për të gjithë qytetarët dhe partnerët tanë strategjikë se nuk mund të kemi instrumente të cilët një komunitet mund t’i shfrytëzojë në kurriz të një komuniteti tjetër apo mazhorancës në Kosovë”, thotë ai.