Ky është inxhinieri që pritet të menaxhojë me Investimet Kapitale të Prishtinës

Drejtorinë për Menaxhimin e Investimeve Kapitale dhe Kontratave në Komunën e Prishtinës pritet ta udhëheq inxhinieri i ndërtimtarisë, Krenar Xhaferi.

 

Këtë e kanë konfirmuar për Demokracia.com burime të afërta me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.Xhaferi aktualisht është asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Ai është djali i profesorit Xhafer Xhaferi, njërit prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndonëse ende ka shumë paqartësi rreth drejtorive dhe mundësitë për ndryshime mbesin të hapura, Demokracia.com ka raportuar se drejtor i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës pritet të jetë Florian Dushi.

Për Dushin si drejtor të Inspekcionit mësohet se ka pajtueshmëri të plotë mes lidershipit të LDK-së dhe kryetarit Rama.

Po ashtu, nëse Drejtoria e Shëndetësisë i mbetet definitivisht LDK-së, Demokracia.com ka mësuar se Rama tashmë e ka gjetur edhe “zëvendësuesin” e Arben Vitisë, të cilin e kishte ofertuar publikisht për t’ia dhënë këtë drejtori.

Drejtoria e Shëndetësisë i është premtuar infektologut Izet Sadiku, por që ende nuk dihet nëse kjo drejtori përfundimisht po i mbetet LDK-së.

Demokracia.com ka raportuar gjithashtu se Drejtorinë e Pronës në Prishtinë pritet ta udhëheq ish-deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku.