Analisti politik, Albert Krasniqi ka reaguar sot lidhur me çështjen e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, ndërsa theksoi se kjo duhet të bëhet për të vendosur drejtësi dhe barazi, ndërkaq rroga e vogël e fitimi i madh duhet të marrë fund.
Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se me iniciativën e Qeverisë për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, amnistohen të gjithë ata që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme.
Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme duhet të bëhet për të vendosur drejtësi e sjellë barazi. Rroga e vogël e fitimi i madh, duhet të marrë fund!
Por me iniciativën e Qeverisë për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, amnistohen të gjithë ata që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme:
– Në pesë vitet e para të procesit të privatizimit (2003-2008);
– Para shpalljes së pavarësisë në 2008;
– Që nuk kanë ushtruar funksionin publik që 10 vite.
Përveç këtyre, ligji i propozuar është edhe në kundërshtim me Kushtetutën.
– E para, shkel liritë dhe të drejtat themelore, respektivisht parimin e prezumimit të pafajësisë. Me këtë ligj, pala është e fajshme derisa nuk të provohet ndryshe.
– E dyta, cenon parimin e ndarjes së pushteteve, pasi i atribuon administratës kompetencat e prokurorisë. Pushteti legjislativi ndërhynë në punën e pushtetit gjyqësor.
– E treta, Kuvendi tejkalon kompetencat e veta, pasi Byrosë i jep statusin e institucionit të pavarur. Kushtetuta ka përcaktuar institucionet e pavarura dhe funksionet e tyre, kurse përmes ligjit Kuvendit i ka mundësuar vetëm themelimin e agjencive të pavarura.