Dy zyrtarët e arrestuar të Ministrisë, dyshohet se lëshuan leje për një urë në zonë të mbrojtur

Dy zyrtarët e arrestuar të Ministrisë së Mjedisit dyshohet se kanë lëshuar një leje për ndërtimin e një ure në zonën e mbrojtjes në Brezovicë.

Në aksionin e sotëm në lidhje me rastin “Brezovica”, janë arrestuar shtatë persona, prej tyre dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Zyrtarët e ministrisë së Mjedisit akuzohen për keqpërdorim të detyrës, më saktësisht për marrje ryshfeti. Ndërsa pesë persona tjerë të arrestuar dyshohen për dhënie ryshfeti.Policia e Kosovës në bastisjen e sotëm në Ministrinë e Mjedisit ka marrë edhe lejet ujore për hidrocentralin Brezovica.

Prokuroria Themelore në Ferizaj është deklaruar lidhur me zhvillimin e aksionit të sotëm policor, ku janë arrestuar shtatë persona të dyshimtë.

Në kuadër të këtij aksioni që kishte filluar më 21 dhjetor nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është theksuar se janë bastisur 10 lokacione në qytete të ndryshme, ndër to edhe zyrat e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke vazhduar aksioni i filluar me datë 21 dhjetor 2021 për rastin “Brezovica”, ku janë duke u bastisur 10 lokacione në qytete të ndryshme, ndër to edhe zyrat e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në njoftim.

Poashtu është theksuar se deri më tani janë arrestuar shtatë persona, dy prej tyre zyrtarë të ministrisë së lartpërmendur, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtarë-marrje ryshfeti si dhe pesë qytetarë të dyshuar për dhënie të ryshfetit, transmeton lajmi.net.

Duhet përkujtuar se edhe nga aksioni i kaluar Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë kishin realizuar një aksion disa orësh nga ku janë arrestuar disa persona ndërsa janë konfiskuar armë, para e gjësende të ndryshme të cilat u takonin të dyshuarve.