Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje në formë elektronike sot në ditën e fundit të vitit.
Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media nga zyra e kryeministrit.
Në këtë mbledhje janë marrë dy vendime.
Së pari, sipas kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë dhe me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 10,860,000 € (dhjetë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë mijë euro), për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 4.6 – Mbështetja e Ndërmarrjeve Publike.
Dhe së dyti, është miratuar vendimi për shfuqizimin e pjesshëm të Vendimit të Qeverisë Nr. 17/20, të datës 24.03.2015, për kërkesën e deklarimit dhe ekzekutimit të dividendës nga Ndërmarrja Publike “Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës Sh. A. (PTK), me ç’rast vlera e dividendës së kërkuar zbritet nga 30.000.000 € (tridhjetë milionë euro) në 15.000.000 € (pesëmbëdhjetë milionë euro).