Në ditën e fundit të vitit 2021, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka prezantuar kabinetin e tij qeverisës. Në një konferencë për medie, Idrizi ka prezantuar edhe gjendjen e trashëguar nga qeverisja e kaluar, për çka tha se kanë trashëguar një borxh prej 5 milionë e 363 mijë e 294 euro.
Kryetari i sapo zgjedhur i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi tha se në kabinetin e tij qeverisës janë vendosur njerëz profesionistë dhe pjesë e tij janë edhe anëtar nga shoqëria civile.
Ai tha se tashmë kanë arritur të plotësojnë edhe kuotën gjinore, ku në krye të pesë drejtorive komunale janë vendosur pesë femra.
“Tani më pak se një muaj kur e kemi marr pushtetin kemi arritur ta kompletojmë kabinetin qeverisës bashkë me partnerët e koalicionit bashkë me shoqërinë civile dhe tani ky kabinet ka një emërues dhe kabinet të përbashkët është qeveria komunale e Vushtrrisë që është adresa e të gjithë qytetarëve të Vushtrrisë. Ashtu siç iu kam premtuar qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore se në një kabinet qeverisës do të jetë kabinet profesional me backgraund në fushën profesionale por edhe të menaxhimit, por premtimi ishte që ta kemi pjesë edhe shoqërinë civile në kabinetin qeverisës në drejtorin e Urbanizmit si dhe kuotën gjinore që e kemi tani 5 drejtoresha nga kabineti qeverisës jo vetëm për ta plotësuar kuotën gjinore por edhe për shkak të profesionalizimit dhe performancës së tyre dhe kompetencave që do i udhëheqin me shumë suksese”, theksoi ai.
Idrizi tha se sot bëhet një prerje e asaj që e kanë trashëguar dhe e asaj që do ta vazhdojnë për qeverisjen 4-vjeçare.
Sipas tij nga qeverisja e kaluar e Xhafer Tahiri kanë trashëguar një borxh prej 5 milionë e 363 mijë e 294 euro.
“Më 6 dhjetor e kemi marr pushtetin dhe kemi një pasqyrë të shpenzimit të buxhetit për paga dhe mëditje kemi trashëguar diku 88%, mallra dhe shërbime 69%, shpenzime komunale 86% subvencione dhe transfere 76% , ndërkaq investimet kapitale kanë qenë në një nivel jashtëzakonisht të ulët, vetëm 42%. Edhe pse koha ishte shumë e shkurtër, diku na ndanin 14 ditë deri tek mbyllja e buxhetit më datën 24, atëherë me një angazhim të stafit komunal këtu është rritur kjo përqindje dhe kemi këtë shkallë të realizimit, mallra dhe shërbime janë 80.95%, shpenzime komunale 92.52%, subvencione dhe transfere 83.12% , ndërsa investimet kapitale janë rritur nga 42 deri në 64% pra janë bërë shumë pagesa të projekteve gjatë asaj kohe 14 ditore… Nga ajo që janë planifikuar për shpenzime kapitale kthehen si suficit 1 milion e 913 mijë e 811 euro që është vlerë bukur e lartë që nuk ka mundur të shpenzohet për vitin 2021… Kemi trashëguar edhe një borxh total prej 5 milionë e 363 mijë e 294 euro prej tyre obligime kontraktuale që janë projekte të kontraktuara 2 milionë e 471 mijë euro”, tha ai.
Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi u shpreh se me të marr detyrën është angazhuar për të përmbushur premtimin e dhënë gjatë fushatës për furnizimin të vushtrriasve me ujë të pijes.
“Pika kryesore që do të fokusohem është furnizimi me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë ashtu siç iu kam premtuar dhe morëm zotimin prej kompanisë regjionale se ata brenda një kohe të shkurtër fabrika do të punojë 24 orë për dallim që ka punuar 12 orë brenda ditës dhe këtë do ta bëjnë edhe me rritjen e stafit për gjashtë veta. Po ashtu, biseduam për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit dhe rregullimin e stacioneve të pompimit dhe edhe këtu premtimet do i përmbushim në afatet e parapa.