Erdogan vjen me një kërkesë të madhe për Vjosa Osmanin
Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka kërkuar nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani që Kosova të ndërmarrë masa konkrete ndaj gylenistëve.
Në vizitën e tij në këtë fundvit, Akar s’e ka lënë pa ua përmendur edhe shqetësimin për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Këto kërkesa mysafiri turk u kujdes ti pasqyrojë në faqen e institucionit që drejton kur u kthye në Turqi.
Në njoftimet për media, pala kosovare nuk i trajtoi këto tema, që i bie se rreth “gylenistëve” dhe ambasadës në Jerusalem nuk ka pajtueshmëri nga Prishtina dhe Ankaraja.Kërkesat e mysafirit nga Turqia, i kanë komentuar për Gazetën Express Shefi i komunikimit strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, Sefer Isufi, zëdhënësi i kësaj ministrie Flamur Arifaj, ish-drejtori i Policisë Rashit Qalaj dhe profesori i Filozofisë Politike, Blerim Latifi.
Institucionet shtetërore se kanë përfshirë në komunikatat e tyre zyrtare kërkesën e zyrtarit turk e as shqetësimin për ambasadën e Kosovës në Izrael. Megjithatë, ndryshe ka vepruar ministria e Mbrojtjes së Turqisë e cila është përkujdesur që në komunikatat e tyre për media ta vënë theksin në kërkesën për gylenistët në takimet që Akar ka pasur me Kurtin e Osmanin.
Në takimin që ministri turk ka pasur me kryeministrin Albin Kurti përveç kërkesës që të ndërmerren masa konkrete kundër lëvizjes “FETO” siç e quajnë ata, Akar ia ka shprehur edhe pakënaqësinë e Ankarasë zyrtare për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
“Ministri Hulusi Akar u takua me kryeministrin Albin Kurti. Nevoja për zhvillim të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Kosovë në fushat e trajnimit ushtarak dhe industrisë së mbrojtjes. U shpreh shqetësimi që është ndjerë për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe nevoja e ndërmarrjes së masave konkrete në luftën kundër FETO-s u theksuan në takim”, thuhet në komunikatën zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë.
Ministri turk në takimin me shefen e shtetit, Vjosa Osmani ka thënë se hapja e ambasadës në Jerusalem e ka parandaluar Kosovën që të sigurojë njohje të reja duke mos lënë anash kërkesën e shefit të tij Erdogan për gylenistët.