Dje në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është proceduar tutje Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë.
Brenda këtij projektligji tregohet se si do të funksionojë Byroja, si do të zgjidhet drejtori dhe punët që do të kryhen, duke përfshirë edhe selinë e këtij institucioni që do të jetë në Prishtinë.
Inicimi i procedurës së verifikimit të një pasurie, është pjesa kyqe e këtij projektligjit dhe ajo bëhen në disa mënyra.
“Mbi bazën e informatave të mbledhura sipas detyrës zyrtare, informatave të pranuara nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe të huaja, personat fizikë apo juridikë që ushtrojnë autorizime publike, si dhe nga personat e tjerë fizikë dhe juridikë, vendorë dhe të huaj”, thuhet në projektligj.
Pas kësaj, është drejtori i Byrosë ai që vendos për fillimin e procedurës së verifikimit apo jo.
Mbedhja e informatave është një nga pikat ku listohen se çka do të mblidhet për t’u verifikuar.
“Pasurinë, vendndodhjen e pasurisë dhe vlerën; vlerën e pasurisë në kohën e përfitimit; vlera e përfituar nga pasuria me rastin e transaksionit; transformimin e pasurisë; të ardhurat e rregullta dhe jo të rregullta të palës në procedurë; shpenzimet për mbajtjen e personit fizik dhe të anëtarëve të familjes së palës në procedurë; shpenzime të tjera; detyrimet monetare; transaksionet me pasurinë te personat fizikë apo juridikë; transaksionet në pasurinë e palës në procedurë dhe të anëtarëve të familjes; shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit nga pasuria e palës në procedurë si dhe të anëtarëve të familjes; masat e përkohshme dhe ngarkesat e vendosura ndaj pasurisë si dhe detyrimet e marra përsipër të natyrës civilo-juridike nga pala në procedurë”.
Në këtë pikë, pala e cila po verifikohet, sipas projektligjit, ka 30 ditë kohë për të dhënë justifikime mbi prejardhjen e pasurisë. Nëse vlera e pajustifikueshme është nën vlerën prej 25,000 euro, atëherë zyrtari i Byrosë propozon mbylljen e rastit. Propozimi i arsyetuar për mbylljen e rastit i dorëzohet Drejtorit të Përgjithshëm, i cili më pas nxjerr vendim për mbylljen e rastit.
Nëse ka papërputhshmëri dhe pala nuk mund të justifikojë pasurinë që kalon vlerën prej 25,000 euro, atëherë supozohet se pasuria e listuar është fituar në mënyrë të pajustifikueshme. Zyrtari i Byrosë, që merret me atë rast, propozon dërgimin e çështjes në Gjykatë për konfiskim. Propozimi i arsyetuar për dërgimin e çështjes në Gjykatë për konfiskim, i dorëzohet Drejtorit të Përgjithshëm, i cili më pas parashtron propozim për konfiskim. Menjëherë më pas gjykata lëshon urdhërin për masën e përkohshme mbi atë pasuri.
Brenda këtij projektligji caktohet edhe nëse nuk është e mundur që të konfiskohet pasuria e propozuar për konfiskim, atëherë Byroja konfiskon vlerën zëvendësuese.