Kompania “Matkos” është detyruar nga Ministria e Infrastrukturës ta rregullojë rrugën që të çon për në Brezovicë, të cilën ishte kontraktuar për ta ndërtuar por që në fakt, e kishte dëmtuar.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durimishi, deklaroi se ministria e ka detyruar “Matkos-in”, që ta sajonte dëmin që e kishin shkaktuar.
“Sot me shku atje, kompet ajo rrugë tash është në gjendje super të mirë. E ka përfundu vetë Matkos-i, mirëpo e ka përfundu kur e ka pa që ne do ta shpallim një tender me ja dhënë dikujt me kry atë punë dhe faturën me ia çu atij. Veç kur e ka kuptu. Çdo kompani që merr pëlqim apo leje prej ndonjë institucioni qeveritar e ka për obligim çdo dëmtim që e bën me kthy në gjendje të mëparshme”, ka thënë Durmishi për ATV.
“Ai (Matkos) nuk është përgjigjur për një kohë të gjatë në e-mail-at e ministrisë. Dhe ne, kemi dashtë me fillu një procedurë që me ja faturu krejt dëmin që e ka shkaktu dhe mos me lënë rrugën në atë gjendje. Kur e ka pa që dojmë me i fillu veprimet, është vu në veprim vetë dhe e ka kontraktu një kompani dhe e ka kry komplet rrugën”, ka përfunduar Durmishi.
Shqip.com, përmes hulumtimit “Shteti leh, “Matkos” kafshon – historia e pabesueshme e impotencës së shtetit, miliona euro të çuara dëm”, kishte treguar se si “Matkos”, kishte futur gypat f500 në rrugën Brezovicë-Qendra e Skijimit për ta ndërtuar një hidrocentral, duke dëmtuar rrugën dhe nuk e kishte kthyer në gjendjen siç edhe e parasheh ligji, ashtu siç ishte.