Kombëtarja shqiptare do të luajë një ndeshje miqësore me Spanjën më 26 mars të vitit 2022.
Lajmin e ka bërë publik FSHF në faqen zyrtare .Kjo do të jetë ndeshja e parë miqësore mes këtyre dy përfaqësueseve.
Deri më tani Shqipëria dhe Spanja kanë luajtur ndaj njëra-tjetrës shtatë sfida, të gjitha të vlefshme për kualifikueset e kampionateve europiane dhe botërore.
Shqipëria ka zhvilluar dy ndeshje me Spanjën, në kuadër të kualifikueseve të kampionatit Europian 1988. Ndeshja e parë u zhvillua në vendin tonë, në stadiumin “Qemal Stafa” më 3 dhjetor të vitit 1986 dhe u fitua nga spanjollët me rezultatin e ngushtë 1-2. Goli i vetëm për kuqezinjtë u shënua nga Shkëlqim Muça.
Ndërsa në ndeshjen e dytë në Spanjë, më 18 nëntor 1987 Shqipëria u mund me shifrat 5-0.
Ndërkaq, sfida e tretë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 1992 u zhvillua në Spanjë, më 19 dhjetor 1990, që përfundoi në favor të spanjollëve që fituan 9-0.
4 sfidat e tjera janë zhvilluar të gjitha në kuadër të kualifikueseve për Kampionat Botëror, përkatësisht Kampionati Botëror 1994 dhe Kampionati Botëror 2018, ku Shqipëria nuk ka arritur të fitojë asnjë prej këtyre ndeshjeve.