Kryeministri i Kosovës në konferencën e fundit për këtë vit ka numëruar çështjet për të cilat ka thënë se janë e arritur e Qeverisë së Kosovës gjatë këtij viti. Sipas Kurtit, e arritur e theksuar për këtë vit është rritja ekonomike dhe menaxhimi i pandemisë, të cilin e ka quajtur të shkëlqyer.
Para gazetarëve, Kurti ka thënë se sivjet i kanë marrë 485 vendime, kanë realizuar 119 projektligje dhe 60 emërime, që sipas tij, janë të rëndësishme për vendin.
Kurti: E arritur e theksuar për këtë vit është rritja ekonomike
“E arritur e theksuar në këtë vit është rritja ekonomike, praktikisht dy shifrore e cila ka bërë që të kemi një bonus prej 800 milionë euro në ekonominë tonë. Janë rritur të hyrat, janë zvogëluar shpenzimet e Qeverisë, janë rritur të hyrat buxhetore, janë zvogëluar shpenzimet qeveritare. Të hyrat buxhetore janë rritur përafërsisht për 30%, eksportet krahasuar me vitin 2020 për 60%, e madje për 90% për vitin 2019. Investimet e huaja direkte janë rritur krahasuar me vitin e kaluar 53% e 80% krahasuar me vitin 2019 sa i përket muajve të parë të vitit”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit, të arritura ka edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kurti: I kemi formalizuar 10 vende të reja të punës
“I kemi formalizuar gjithsej 10 mijë vende të reja të punës dhe Administrata Tatimore e Kosovës ka inkasuar mbi 588 milionë euro dhe kjo është për më shumë se një të katërtën krahasuar me vitin e kaluar, më shumë se një të tetën krahasuar me vitin 2019 dhe 28% krahasuar me vitin 2018. Në aspektin e luftimit të krimit dhe korrupsionit janë realizuar 509 operacione, 117 plane operative dhe bastisje 893 sosh”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se vitit 2021 po përmbyllet me një menaxhim të shkëlqyer të pandemisë .
Kurti: Po e përmbyllim vitin me menaxhim të shkëlqyer të pandemisë
“Jemi shumë të lumtur që po e përmbyllim vitin me një menaxhim të shkëlqyeshëm të pandemisë dhe projekti kryesor me siguri që ishte ai i vaksinimit ku kemi arritur ë që t’i administrojmë 1.65 milionë doza të vaksinave pa e marrë asnjëherë në konsideratë mundësinë e marrjes së vaksinave nga lindja dhe verilindja, pra vetëm me Pfizer dhe AstraZeneca të verifikuara nga FS dhe EMA. Ndërkaq sot që po flasim është kaluar për popullorësinë mbi 18-vjeçare tash e disa javë vaksinimi me mbi dy të tretat ne një dozë ndërkaq me mbi 60% me dy dozat”, ka thënë shefi i ekzekutivit.
Megjithatë, ministri i Shëndetësisë që prej marrjes së mandatit po vazhdon udhëtimet dhe qëndrimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por sipas Kurtit, kjo nuk e dëmton funksionimin e ministrisë.
Kurti: Udhëtimi i ministrit të shëndetësisë në ShBA nuk e dëmton funksionimin e ministrisë
“Sa i përket ministrit të Shëndetësisë tash nuk ka person i cili nuk është online dhe ai i koordinon punët dhe është e vërtetë që pas një karriere shumëvjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një çikë si shpejtë është dashur që të përgatitet të vijë në Kosovë dhe direkt në një pandemi. Prandaj, nuk mund të them që është për qëllime personale sa për shkaqe të cilët kanë të bëjnë edhe me institucionet ku ka punuar ai atje, meqenëse është një person 350 artikuj në revista shkencore dhe ka numër të pafundmë të studentëve që kanë magjistruar e doktoruar tek ai, pra janë disa çështje të vogla teknike të cilat janë sërish të natyrës profesionale por ai mua më ka siguruar duke i ndarë punët me kohë në ministri dhe duke qenë vazhdimisht online, nuk do ta cenoj për një moment bashkërendimi dhe funksionimin e Ministrisë së Shëndetësisë në këtë kohë të pandemisë”, ka thënë ai.
Kurti ka përmendur edhe sukseset e Forcës së Sigurisë së Kosovës duke theksuar zbarkimin e pjesëtarëve të saj në mision paqeruajtës dhe përfshirjen e tyre në “Defender Europe21” ku edhe ka premtuar mbështetje të vazhdueshme për ushtrinë.