Presidenti Agim Ademi në shoqëri të nënkryetarit Bakir Burri, drejtorit të Kombëtares, Muharrem Sahiti, kapitenit të Kombëtares së veteranëve, Sylejman Selimi, futbollistit të Kombëtares, Edon Zhegrova dhe kryetarit të tifo-grupit “Dardanët”, Lulzim Berisha, në kuadër të festave të fundvitit, sot, kanë vizituar SOS Fshatin në Prishtinë, shoqatën HANDIKOS dhe shoqatën Down Syndrome Kosova, me ç’rast kanë bërë edhe shpërndarjen e dhuratave modeste.
Gjatë vizitës në SOS Fshat, presidenti Ademi shprehur mirënjohje për drejtuesit dhe stafin e kësaj qendre për punën dhe përkushtimin që kanë për fëmijët e moshave të ndryshme, e të cilët për shkaqe e arsye të ndryshme kanë mbetur pa përkujdesjen prindërore. Ai theksoi se kjo vizitë përveç shpërndarjes së dhuratave për fëmijët ka edhe qëllimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me qëllim që fëmijët që janë pjesë e SOS Fshatit të kenë qasje edhe në aktivitetet e ndryshme të futbollit.
“Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë punën dhe veprimtarinë tuaj dhe e konsiderojmë atë si mision të shenjtë, sepse vërtet është i tillë. Ne, si institucion i futbollit jemi të gatshëm të ju ndihmojmë në çdo aspekt që kemi mundësi dhe që ju e shihni të nevojshme. Pra, dera e FFK-së për ju do të jetë gjithmonë e hapur. Të gjithë ata fëmijë që kanë talent dhe dëshirë për të qenë pjesë e futbollit ne jemi të gatshëm që t’ju ndihmojmë që t’ua realizoni ëndrrën. Para pak kohësh kemi investuar në fushën e stadiumit ‘Rilindja’ edhe në saje të bashkëpunimit që keni ju me këtë klub. Pra, sa i përket aspektit sportiv jemi çdo herë të gatshëm të ju ndihmojmë dhe të jemi afër fëmijëve që janë pjesë e kësaj shtëpie të madhe, sepse sigurisht se në të ardhmen nga këtu do të kemi edhe ndonjë sportist të madh”, ka thënë presidenti Ademi.
Ndërkaq, drejtueset e kësaj qendre, Nezahate Salihu dhe Ora Bytyçi e falënderuan presidentin Ademi për vizitën dhe vlerësimin ndaj kësaj qendre, teksa folën për angazhimin e tyre për mirëqenie sa më të mirë të fëmijëve të kësaj qendre. “Ne jemi shumë të lumtura që kemi miq të tillë që po e përkrahin misionin tonë, sepse ky është një mision i vështirë, i cili nuk mund të realizohet pa miq si ju, prandaj na vjen mirë që për festat e fundvitit ju si federatë keni menduar për qendrën tonë. Këto festa na ngjallin shumë emocione edhe neve të rriturve, e paramendoni çfarë emocione u japin fëmijëve që në një pjesë të jetës së tyre kanë përjetuar një traumë apo çfarëdo qoftë tjetër. Kur shohim njerëz si ju që na vizitojnë dhe mendojnë për ne, kjo na e lehtëson punën tonë“, ka theksuar Nezahate Salihu, drejtoreshë e SOS Fshatrave të Kosovës.
Edhe gjatë vizitës në HANDIKOS presidenti Ademi ka vlerësuar punën dhe rolin e kësaj shoqate për njerëzit me nevoja të veçanta, si dhe ka shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit. Ai ka thënë se në partneritet me Federatën Turke të Futbollit tashmë e kanë nisur ndërtimin e fushës për zhvillimin e aktiviteteve me fëmijët me nevoja të veçanta, derisa nëpërmjet programit “Grassroots” tash e disa vjet FFK organizon programe dhe aktivitete të ndryshme futbolli me fëmijët me nevoja të veçanta në shumë qytete të vendit.
Ndërkohë, gjatë vizitës në “Down Syndrome Kosova”, presidenti Ademi krahas shpërndarjes së dhuratave për fëmijët e kësaj shoqate ka ndarë edhe kartelën për pajisje me 5 bileta për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës për anëtaret e kësaj shoqate, që ishte kërkesë e Medina Surdullit, anëtare në këtë shoqatë dhe tifoze e flaktë e Dardanëve.