Kuvendi i Kosovës ka shpallur gjendje emergjente të energjisë në vend, duke i dhënë përkrahje vendimit të Qeverisë për masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji. Vendimi nënkupton që bëhet i ligjshëm reduktimi i energjisë.
Vendimi është miratuar me 57 vota për, 17 abstenime dhe asnjë kundër.
Masat emergjente do të vlejnë për maksimalisht 60 ditë. Masat emergjente përfshijnë vendosjen e kufizimit në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
Me vendim parashihet themelimi i një Komiteti Teknik Emergjent me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve te Ministrja e Ekonomisë. Ky Komitet ka për detyrë të rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të krijuara nga kriza ekonomike. Pas rekomandimeve Ministria duhet të publikojë masat kufizuese obligative.
Vendimi parasheh masa për 60 ditë, por Kuvendi mund ta vazhdojë edhe për periudha tjera për nga 30 ditë.
Ka disa ditë që në vend janë kthyer reduktimet e energjisë elektrike.
Qeveria e ka arsyetuar këtë vendim me krizën që e ka kapluar vendin, ndërsa opozita e ka quajtur të vonuar e të dështuar menaxhimin që Qeveria Kurti po ia bën krizës.