Kurti: Për herë të parë do të kemi ligjin për Qeverinë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit të mbajtur për këtë vit ka miratuar Projektligjin për Qeverinë dhe atë për financimin e subjekteve politike. Gjithashtu, në këtë mbledhje ekzekutivi ka vendosur edhe për pagesën shtesë për zjarrfikësit.

Qeveria ka miratuar 27 vendime, prej tyre gjashtë projektligje, që sipas kryeministrit Kurti janë tejet të rëndësishme.

Kurti: Po e përfundojmë me Projektligjin për byronë shtetërore

“Kemi miratuar Projektligjin për Qeverinë e Kosovës sipas së cilit do të përcaktohet përbërja, mandate dhe kompetencat e qeverisë dhe anëtarëve të saj, Projektligjin për plotësim ndryshimin për financimin e subjekteve politike nëpërmjet të cilit do ta rrisim transparencën dhe llogaridhënien e subjekteve politike, pastaj Projektligjin për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Pra në qeverisjen tonë ne filluam me miratimin e koncept dokumentit të pasurisë së pajustifikueshme dhe këtë vit po e përfundojmë me Projektligjin për byronë shtetërore e cila do të jetë në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nëpërmjet konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshëm”, ka thënë Kurti.

Në këtë mbledhje ekzekutivi ka vendosur të shfuqizojë vendimin e vitit 2020 i cili i kishte zgjatur mandatin drejtorit të përgjithshëm të shërbimit Gjeologjik të Kosovës.

Sipas Kurtit, vendimi për vazhdimin e mandatit të Fidaim Sahitit ishte i jashtëligjshëm.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe projektligjin për ushqimin, dhe i ka thënë po edhe shpronësimit të disa pronave për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës, ndërsa ka miratuar edhe projektligjin për byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë dhe ligjin për qeverinë.

Ekzekutivi ka themeluar edhe taskforcën për mbrojtjen e tregut të Republikës së Kosovës.

Në konferencën përmbyllëse Kurti ka thënë se këtë vit qeveria kishte marrë 485 vendime, 119 projektligje, 60 emërime, 16 koncept dokumente 10 udhëzime administrative, 7 projekt rregullore dhe pesë nisma legjislative.