Protesta e djeshme për reduktime, nga KEDS flasin për situatën

KEDS ka reaguar pas protestës së djeshme që u mbajt përpara zyreve të tyre duke thënë se e respektojnë protestën dhe duke shprehur shqetësimin e tyre për krizën energjetike në Kosovë.

KEDS thotë se furnizimi për vite me rradhë ka qenë shumë i mirë në Kosovë, ndërsa thonë gjithashtu se kanë investuar mbi 200 mlionë euro.

Sektori i energjisë në Kosovë është duke kaluar një nga sfidat më të mëdha që nga përfundimi i luftës, dhe ne, si një nga akterët në këtë sektor, bashkë-ndjejmë me secilin prej jush.

I kuptojmë edhe protestat që u mbajtën para ndërtesës sonë. Është e drejtë e tyre dhe e respektojmë këtë.

Këtë vit po përballemi me krizë globale të rritjes së çmimeve, rritjes enorme të konsumit dhe rënies së prodhimit. Këta faktorë prekin tërë sistemin elektro-energjetik, pjesë e të cilit janë edhe konsumatorët.

Ne si kompani jemi të shqetësuar për këtë. Madje, për disa muaj me radhë e kemi bartur krizën në supet tona, pa u afektuar konsumatori aspak, deri sa i shterëm të gjitha resurset tona.

Si kompani jemi në vitin e 9 të operimeve. Që nga fillimi i operimeve tona kemi hequr planin e reduktimeve të njohur si Kategorizimi “ABC”.

Vetëm kujtojeni se si ka qenë furnizimi me rrymë vitin e kaluar, krahasuar me këtë vit!? Ky është shembulli më i mirë se privatizimi ka qenë i suksesshëm dhe ne si kompani jemi krenar me atë që kemi arritur.

Kemi investuar gati 200 milionë euro në sistem dhe operimi ynë i përgjithshëm sot është shumë më efikas. Këto investime kanë rritur në mënyrë të prekshme kualitetin e shërbimeve për qytetarët e bizneset në të gjithë Kosovën.

Kur e kujtojmë gjendjen që e trashëguam dhe pasi të merren në konsideratë të gjitha projektet e realizuara deri tani, atëherë privatizimi i KEDS-it, s’ka si quhet ndryshe, pos një storie suksesi.

Edhe këto ditë kemi bërë çdo gjë që është e mundur që të kalohet sa më lehtë kjo situatë. Kemi dhënë rekomandime dhe mbesim të gatshëm që të luajmë rolin tonë në këto rrethana.

Por, KEDS dhe KESCO janë vetëm njëri nga akterët në sektorin e energjisë.

Dëshirojmë t’i sigurojmë të gjithë akterët tjerë relevantë se jemi të gatshëm për bashkëpunim, ashtu siç kemi qenë që nga shtatori, kur filluam të ofrojmë rekomandime për autoritetet si të menaxhohet në mënyrë sa më efikase kjo krizë.

Është koha që tërë energjinë ta përqendrojmë në tejkalimin e kësaj situate, në vepra konkrete, e jo për sulme që cenojnë kredibilitetin e kompanisë jashtë dhe brenda vendit dhe mohojnë të arriturat e kompanisë ndër vite.