Ministrja Rizvanolli kërkon nga deputetët përkrahje për shpalljen e gjendjes emergjente

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli ka kërkuar që të miratohet vendimi për shpalljen e gjendjes emergjente energjetike në Kosovë.

Ajo tha se propozim-vendimi parasheh themelimin e Komitetit teknik emergjent.

“Një shpallje e tillë nuk do të thotë qe merren masa kufizuese menjëherë, por i mundëson qeverisë marrjen e masave që kanë të bëjnë me vendosjen e kufizimeve me energji për konsumatorë. Aprovimi i një vendimi të tillë i mundëson qeverisë të zbatojë masat menjëherë, megjithëse i njëjti duhet të aprovohet edhe nga Kuvendi brenda 7 ditësh. Masat duhet të jenë në fuqi deri në 60 ditë. Propozim vendimi parashah themelimin e Komitetit teknik emergjent”, ka thënë ajo para deputetëve.

Ajo gjithashtu tha se është e domosdoshme të aprovohet ky vendim që të kalohet kriza.

“Duke qenë se në opinion ka pasë paqartësi, vendosja e këtyre masave nuk do të thotë që masat vendosen menjëherë por ia jep të drejtën qeverisë që të vendosë masa në kohëzgjatjen që e sheh të domosdoshme për të tejkaluar krizën më leht. Andaj ju deputetë, ju ftoj ta aprovoni këtë vendim”, ka thënë ajo.