Gjatë ditës së djeshme ka raportuar se eksperti gjerman i cili do t’i ndihmojë në inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara në turbinën e shtypjes së ulët të njësisë B2 në TCB do të paguhet 11,800 euro në ditë.
Vlera e tërësishme e kontratës në mes KEK dhe kompanisë do të jetë 248 mijë euro. Është raportuar se në përbërje të kompanisë gjermane, e cila ka shumë degë nëpër botë, do të jetë vetëm një ekspert i cili më shumë do të asistojë tek inxhinierët e KEK-ut. Ekspertiza e tij do të paguhet rreth 12 mijë euro për një ditë, ose 248 mijë euro për 21 ditë, pasi për kaq ditë është paraparë që edhe kontrata të ketë validitet. Vlera e parashikimit të kontratës nga ana e KEK ka qenë 200 mijë euro, por kompania gjermane nuk është pajtuar më këtë shumë. Kësisoj vlera është rritur edhe për 48 mijë euro.
Lidhur me këtë ka folur edhe ministri i Financave, Hekuran Murati i cili ka thënë se nuk e ka parë kontratën dhe se vlera totale e saj është 248 mijë euro.
“Nuk është se kam parë një kontratë dhe e kam nga mediat. Por besoj se kjo është më tepër përpjesëtim i ditëve të punës që kompania e angazhuar do të marrë si total. Nuk e kam parë kontratën dhe nuk i di termat e referencës, 248 mijë është total. Është me rëndësi që sa më shpejt ta kthejmë bllokun, sepse kosto oportune për cdo ditë që ky bllok është i rënë, nëse llogarisim çmimet e importit, ora na kushton 100 mijë euro nëse importohet sasia e njëjtë, apo 2.4 milionë euro dita”, tha ai.
“Jemi duke diskutuar për ta rregulluar një problem i cili mund të kushtojë shumë më shtrenjtë. Telekomi ka paguar me shifra të ngjashme të publikuara vite më parë. Kemi pasur menaxherë e drejtorë që kanë pasur shifra marramendëse. Nëse flasim për një problem që kushton shumë më shumë, sepse si ministër i financave nuk do ta doja këtë punë po të mos kishte këso kosto të problemeve, atëherë nuk do e diskutoja”, përfundoi ai.
“KEKu nuk ka kapacitete teknike dhe ekspertizë profesionale të përballoj këtë avari me forcat e veta, prandaj është e domosdoshme angazhimi i ekspertëve nga Gjermania të GE, që janë prodhuesit origjinal të turbinës. Njësia B2 nuk mund të startohet me këto defekte pa u bërë ky inspektim për të ditur hapat e mëtejmë dhe përcaktuar nivelin e sigurisë se operimit me këtë gjendje. Sa do të jetë nevoja për pjesët e reja, për cilat prej tyre, dhe se cili do të jetë vëllimi i punëve të riparimit duhet ta përcaktohet me këtë inspektim”, thuhet në dosjen e njoftimit për dhënie të kontratës .