Infektologu Salih Ahmeti përmes një video-mesazhi të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen e të mbrohen nga koronavirusi.
Ai është shprehur se sa më shumë që vonohemi me vaksinim, aq më shumë do të rriten gjasat që të krijohen variante të reja të virusit, me pasoja të rënda.
“Është fundi i vitit, festat po vijnë e shumë familjarë do të na vizitojnë. Rreziku i infektimit do të rritet për shkak edhe të variantit Omicron dhe varianteve të tjera që mund të shfaqen. Një valë e re do të ishte dërmuese për të gjithë. Na ka mbetur ende punë për të bërë. Sa më shumë që vonohemi me vaksinim, aq më shumë do të rriten gjasat që të krijohen variante të reja të virusit, me pasoja të rënda. Të tregohemi të përgjegjshëm, për veten, të afërmit tonë e për gjithë shoqërinë. Duke i zbatuar me përpikëri masat mbrojtëse kundër COVID dhe duke u vaksinuar sa më parë”, ka theksuar ai.
Ai është shprehur se asnjëherë nuk është ballafaquar me kaq shumë vuajtje e vdekje.
“Pandemia COVID-19 ka qenë njëra nga sfidat më të mëdha të karrierës time 35 vjeçare si infektolog. Asnjëherë më parë nuk jam ballafaquar me kaq shumë vuajtje dhe vdekje në spitalet tona. Që nga fillimi i pandemisë kanë humbur jetën rreth 3 mijë qytetarë të vendit tonë. Në spitalet tona vdiqën me qindra qytetarë. 89% e tyre ishin të pavaksinuar plotësisht. Rastet e infektuara u rritën aq shumë, sa vetëm për një ditë patëm mbi 2 mijë e 500 raste dhe 36 vdekje. Kjo ndikoi që qytetarët të drejtohen në qendrat e vaksinimit për tu mbrojtur nga ky rrezik i madh. Ku brenda një dite në numër rekord u vaksinuan mbi 22 mijë qytetarë. Por me rënien e rasteve, edhe vaksinimi u ngadalësua”, ka shtuar ai.