Sondazhi: Ekonomia gjermane optimiste për vitin 2022

Instituti i Ekonomisë gjermane pyeti 48 degë të industrisë për pritjet e tyre për vitin e ri. Optimizmi mbretëron pothuajse kudo. Vetëm disa sektorë presin kohë të vështira.

Pak sipërmarrje në Gjermani do të vajtojnë për vitin 2021. Në fillim të vitit, mbyllja e vazhdueshme e jetës publike ua vështirësoi punën shumë prej tyre. Kësaj iu shtuan problemet e furnizimit me lëndë të para dhe produkte të ndërmjetme. Sondazhi i ri i Institutit Ekonomik Gjerman (IW), institut i afërt me punëdhënësit, tregon se shumë gjëra mund të përmirësohen në vitin e ri.

Nga 48 shoqatat ekonomike të anketuara, asnjëra nuk pret rënie të prodhimit apo biznesit për sektorin e tyre përkatës. Një shumicë e madhe, përkundrazi, pret rritje. Në këtë kontekst, studiuesit e Institutit të Ekonomisë flasin për një “mjedis të jashtëzakonshëm pritjeje” për ekonominë gjermane.

Vlerësimet pozitive mbizotërojnë edhe për investimet dhe punësimin. Perspektiva e vitit 2022 në përgjithësi udhëhiqet nga optimizmi, thotë Michael Hüther, drejtor i Institutit të Ekonomisë Gjermane. Megjithatë, disa industri po presin kohë të vështira. “Ne jemi të prekur sigurisht nga pandemia në sektorin e turizmit dhe të panairit”, shpjegon Hütheri. Befasuese nuk është as që industria minerare pret më pak investime dhe më pak punonjës, duke pasur parasysh braktisjen e planifikuar të prodhimit të energjisë me qymyr.

Mungesa e furnizimeve do të pakësohet

Shumë sipërmarrje industriale janë të kënaqura me gjendjen e mirë të porosive dhe rimëkëmbjen e ekonomisë globale. Sektorë si industria e përpunimit të letrës dhe e qelqit, megjithatë, janë të shqetësuar për mungesën e vazhdueshme të materialeve. Ekonomisti Hüther, megjithatë, beson se vështirësitë e furnizimit mund të pakësohen vitin e ardhshëm, gjë që tashmë ndihet në disa tregje. Megjithatë, për gjysmëpërçuesit, të cilët janë kaq të rëndësishëm për industrinë e automobilave, ai pret vështirësi afatgjata. Sipas Hüther-it, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar do të vazhdojë gjithashtu të krijojë probleme për sipërmarrjet, për shembull në sektorin e ndërtimit që po përjeton zhvillim.

Efektet e Omikronit nuk mund të parashikohen

Instituti i Ekonomisë gjermane e kreu sondazhin në fillim të dhjetorit. Prandaj ishte ende e vështirë për shoqatat të parashikonin efektet e variantit Omikron. Në këtë kuadër, perspektiva pozitive për të ardhmen shoqërohet me pasiguri, shpjegon Hüther: “Po të mungojë fuqi punëtore në një shkallë të gjerë, dhe nëse kjo zgjat më shumë, do të na duhet të flasim gjatë për vështirësi të një natyre tjetër”. Prandaj, pandemia mbetet faktori kryesor i rrezikut edhe për botën ekonomike.