Policia e Kosovës (PK) ka arrestuar të dyshuarit B.Z (20 vjeçar) dhe E.B (19 vjeçar) nën dyshimin se rrëmbyen një person dhe ia morën një shumë parash.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për medie nga policia.
“Në orët e mbrëmjes së datës 26 dhjetor 2021, policia në Vushtrri, kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale ‘Rrëmbim”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, nga hetimet fillestare bëhet e ditur se dy të dyshuarit pasi e kanë marrë viktimën dhe e kanë futur në veturën e tyre, nga i njëjti kanë marrë një shumë të parave, më pas të dyshuarit ishin ikur në drejtim të panjohur.
“Mbi bazën e informacioneve fillestare dhe veprimeve të ndërmarra, policia kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë dy persona të dyshuar B. Z., 20 vjeçar dhe E. B.,19 vjeçar, të dy shtetas të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Bëhet e ditur se pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit të rastit, ndaj të dyshuarit B. Z., është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.