Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportet e auditimit të performancës për projektet “Furnizimi me barëra dhe materiale shëndetësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19” dhe “Optimizimi i resurseve njerëzore, hapësirave spitalore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19”.
Ky auditim kishte për qëllim vlerësimin e procesit të furnizimit me barëra dhe materiale shëndetësore të institucioneve shëndetësore dhe menaxhimin e resurseve njerëzore në institucionet shëndetësore, hapësirave spitalore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19 dhe njëkohësisht të identifikojë boshllëqet ekzistuese duke vlerësuar nëse ky proces mund të realizohet më mirë.
Raporti konstaton se pavarësisht përpjekjeve që t’i përgjigjen si duhet dhe me kohë nevojave, institucionet shëndetësore nuk kanë arritur me kohë të sigurojnë të gjitha barërat dhe materialet e nevojshme shëndetësore për trajtimin e pacientëve me COVID-19, prandaj në shumë raste pacientët janë detyruar që vetë t’i blejnë disa nga barërat për trajtim mjekësor.
Po ashtu gjatë procesit të luftimit me pandeminë COVID-19 pavarësisht faktit se plani i veprimit kundër gripit pandemik dhe ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 e përcakton se përveç ekzaminimit, institucionet duhet të sigurojnë edhe medikamentet dhe bazën materiale të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19, kjo nuk ishte realizuar në shumë raste.
Edhe përkundër përpjekjeve që t’i përgjigjen si duhet dhe me kohë nevojave për resurset të mjaftueshme njerëzore, institucionet shëndetësore nuk kanë arritur të sigurojnë me kohë dhe në numër të mjaftueshëm të personelit shëndetësor për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
Mungesa e analizave të vazhdueshme adekuate të shkruara për identifikimin me kohë të nevojave për personel shëndetësor dhe koordinimit të duhur dhe të vazhdueshëm në mes të institucioneve shëndetësore krahas nevojave për ballafaqim me COVID-19, ka ndikuar në vështirësi për aktivizimin me kohë të numrit dhe profilit të duhur të personelit shëndetësor.
Raporti thekson se rekrutimi i personelit të përkohshëm shëndetësor është bërë pa konsultime të mjaftueshme në mes të institucioneve shëndetësore, ndërsa trajnimet specifike paraprake për personelin shëndetësor të angazhuar për trajtimin e pacientëve me COVID-19 kanë qenë jo të mjaftueshme.
Vështirësitë procedurale dhe buxhetore për rekrutim të personelit të nevojshëm shëndetësor kishin shkaktuar telashe shtesë duke pasur parasysh se personeli i rregullt ishte reduktuar pjesërisht për arsye se shumë nga ta ishin infektuar me virusin COVID-19, ndërsa të tjerë ishin me sëmundje kronike apo moshë më të madhe për tu aktivizuar në repartet ku trajtoheshin pacientët me COVID-19.
Me përjashtim të spitalit të Prizrenit, institucionet shëndetësore nuk kanë pasur plan veprimi për menaxhimin e hapësirave spitalore për trajtimin e pacientëve me COVID-19, ndërsa SHSKUK-ja nuk ka pasur një plan veprimi për menaxhimin e pajisjeve mjekësore.
Mungesa e procedurave standarde për bartjen e sigurtë të pacientëve krijon pasiguri tek pacientët që mund të shpie drejt ekspozimit të pacientëve ndaj rreziqeve të mundshme.
gjatë bartjes. Edhe planet përgatitore lidhur me sasinë dhe llojin e nevojshëm të Pajisjeve Personale Mbrojtëse (PPM-të) dhe materialeve tjera shëndetësore të nevojshme për t’u përballur me pandeminë nuk janë përcjellur me furnizim të mjaftueshëm, arsye e cila ka ndikuar që institucionet shëndetësore të mos kenë rezervat e duhura në fillim të pandemisë.
Problemet me lidhjen e kontratave, rritjet e vazhdueshme të çmimit të barnave, vonesat në liferimin e mallit për shkak të vështirësive të qarkullimit ndërkombëtar, ankesat e Operatorëve Ekonomik dhe ankesat në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) janë shkaktarët kryesor që kanë ndikuar në planifikimin jo të mirë dhe furnizimin e pamjaftueshëm me medikamente, PPM, pajisje dhe materiale tjera medicinale.
Raporti thekson se planifikimi i sasisë apo llojit të barërave dhe materialeve medicinale të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19 nuk është bërë bazuar në barërat që u ipen pacientëve sepse institucionet shëndetësore nuk kanë një sistem të rregulluar i cili i siguronë këto informata.
Edhe mungesa e një procesi të rregulltë të komunikimit gjithëpërfshirës dhe sistematik në mes Kujdesit Primar Shëndetësor (KPSH) dhe niveleve tjera të kujdesit shëndetësor lidhur me trajtimin e pacientëve COVID-19 të cilët nuk janë hospitalizuar duke identifikuar me kohë nevojat për trajtim klinik të këtyre pacientëve mund të ndikoj në trajtimin me vonesë të pacientëve me COVID-19.
Këto mangësi në masë të madhe janë ndikuar nga mosfunksionalizimi i plotë i Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), duke ndikuar që të mos ketë një planifikim dhe menaxhim të duhur të burimeve njerëzore shëndetësore, barërave dhe materialeve tjera shëndetësore, hapësirave shëndetësore (qendrat e mjekësisë familjare dhe spitalet), dhe menaxhimin e pacientëve.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka deklaruar se sistemi shëndetësor ka nevojë për përmirësime në procesin e shërbimeve shëndetësore me theks të veçantë në sigurimin e barërave dhe materialeve shëndetësore të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Poashtu lidhur me këtë auditim ka deklaruar se sistemi shëndetësor ka nevojë për përmirësime në procesin e menaxhimit të resurseve njerëzore për ballafaqim me pandeminë COVID-19. Institucionet shëndetësore përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë poashtu kanë nevojë për zhvillimin në vazhdimësi të planeve paraprake të veprimit për sigurimin me kohë të hapësirave të veçanta spitalore dhe pajisjeve mjekësore të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
Ne i falënderojmë të gjithë stafin shëndetësor mjekët, infermierët, punëtorët teknik të spitaleve dhe punëtorët e tjerë shëndetësorë për përkushtimin e tyre të palodhshëm të cilët janë mobilizuar, duke ndihmuar pacientët që ta luftojnë virusin COVID-19 duke punuar në vazhdimësi për shëndetin e qytetarëve. Përveç punës së palodhshme që ky staf kishte me trajtimin e pacientëve me COVID-19 ata kontribuan shumë edhe në realizimin e këtij auditimi e që padyshim i shtuan vlerë të madhe punës tonë.
Raportin e plotë “Furnizimi me barëra dhe materiale shëndetësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19” mund ta gjeni këtu.
Raportin e plotë “Optimizimi i resurseve njerëzore, hapësirave spitalore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19”mund ta gjeni këtu.