Tiranë, 15 vjet burgim për babanë që përdhunonte prej vitesh të bijën

Gjykata e Apelit Tiranë la në fuqi vendimin e dhënë më herët për Qirjako Nakuçin, i dënuar me 15 vjet burg për abuzim seksual ndaj të bijës. Ngjarja e rëndë u bë publike në vitin 2018, atëherë kur e bija denoncoi në polici abuzimin që i bëhej prej vitesh.

Vajza, e cila kur bëri denoncimin ishte 25 vjeçe, tregoi se gjithçka kishte nisur kur prindërit ishin ndarë në vitin 2002, kur ajo ishte vetëm nëntëvjeçare. Ajo rrëfeu në polici se në moshën 19 vjeçare nga incesti kishte mbetur shtatzënë dhe kishte abortuar. Pasi denoncoi rastin në polici, ajo u strehua në një qendër për murgeshat.

64 vjeçari Qirjako Nakuçi, në kohën kur u arrestua tha se gjithçka kishte qenë me dëshirën e vajzës dhe mohoi përdhunimin.

Ndërsa në apelimin që i bëri dënimit të dhënë nga Gjykata e Tiranës, Nakuçi kërkoi pafajësi, me pretendimin se gjithçka ishte sajesë nga e bija dhe ish-bashkëshortja e tij.