Rruga e gjatë e mërgimtarëve nga Evropa për në Kosovë

Theksohet se ardhja e mërgimtarëve për festat e fundvitit nuk ka krijuar si zakonisht radhë të gjata në pikën kufitare të Merdarit.

Por, shumë prej tyre janë vonuar në kufirin midis Hungarisë dhe Serbisë, ku kanë pritur më shumë se 3 orë, ndërsa detyrim janë dhe certifikatat e Covid 19.

“Mirë kemi kaluar deri këtu, në kufirin e Hungari-Serbi kemi pritur 3 orë e 10 minuta, këtu 10 minuta. Po veç këtu në Kosovë kur erdhëm, aty në kufij të tjera jo, por unë e kam pasur atë që e kam marrë vaksinën, ua tregova. Kam pasur edhe djalin e axhës me vete. Ai e ka pasur testin, ua tregoi. Çka do që merret, ne do t’i respektojmë”, thotë një bashkatdhetar për Tch.

Ndërkohë edhe të tjerëve mërgimtarë nga vende të ndryshme të Europës nuk u është dashur të presin askund dhe kanë shprehur dakordësinë me masat anti Covid të vendosura në Kosovë.

“20 orë, askund nuk na ka rënë të presim… Jo, këtu nuk i kanë kërkuar, mua nuk m’i kanë kërkuar, por i kemi vaksinat. Janë të nevojshme për mbrojtjen e popullatës duhet marrë masat”, ka thënë ai.

“Jam nisur dje në mëngjes 07:00 në mëngjes, një natë kam bujtur në Kroaci nuk më ka ra, në hyrje të Serbisë 15 minuta, edhe këtu 10 minuta. Certifikatat e vaksinës më duket se nuk m’i kanë kërkuar askund, vetëm këtu. Shumë mirë, gjithkund ashtu janë marrë, edhe Gjermania i ka ashtu, unë tri vaksina i kam marrë”, tha ai.

Sipas rregullave të reja të qeverisë çdo person që hyn në Kosovë duhet të ketë certifikatën me dy doza të vaksinës ose një dozë së bashku me dëshminë se ka kaluar Covid-in. Ndërkohë nga data 3 janar do pranohen vetëm ata me dozat e plota të vaksinës. Po ashtu, personave që kërkojnë të hyjnë në territorin e Kosovës, iu jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikat kufitare ajrore dhe tokësore.