Tenderi “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, i cili është realizuar nga Ministria e Infrastrukturës ka përfunduar në prokurori që në qershor të vitit 2020, por ky institucion ka bërë hapa minor për të zbardhur të vërteten rreth këtij tenderi që ishte realizuar nga ministria që drejtohej nga Pal Lekaj i AAK-së e nënshkruar nën qeverisjen e Arban Abrashit.
Hetuesit nga Departamenti për Hetimin e Korrupsionit në kuadër të policisë së Kosovës në mesin e vitit 2020 kanë dorëzuar një raport të hollësishëm në Prokurorinë Speciale të Kosovës lidhur me tenderin “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115”.
Ky organ i hetuesisë ka hartuar një raport me të gjetura serioze lidhur me shkeljet ligjore që janë bërë nga ana e disa zyrtarëve të ministrisë përfshirë ish drejtoreshën e prokurimit, të ministrisë dhe disa zyrtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Lajmi.net ka mësuar se para disa javësh është ndërruar edhe prokurori i kësaj lëndës. Nga Dren Paca, lënda ka kaluar tek prokurorja Ilirjana Çollaku -Tafa, pasi prokurori Paca ndodhet në një trajnim njëvjetor jashtë Kosovës.
Zyra për Informim e Prokurorisë Speciale të Kosovës nuk ka dashur të jap asnjë informatë lidhur më atë se deri ku kanë shkuar hetimet lidhur me këtë tender.
Mësohet se prokuroria nuk ka intervistuar akoma asnjë nga të dyshuarit që përmenden në raportin e policisë së Kosovës, lidhur me dyshimet e ngritura për manipulim të tenderit. “Procesi është në fazën, ku Prokuroria do të angazhojë ekspertët ligjorë të prokurimit për të hetuar procesin e realizmit te tenderit, ndërkohë që nuk është intervistuar askush akoma. Pra, intervistimet e zyrtarëve të ministrisë dhe OSHP-së janë bërë vetëm nga ana e policisë së Kosovës, kur ishte përpiluar kallëzimi penal”, ka bërë të ditur burimet.
Më 18 mars 2020, Paneli i Shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit vendosi që të hedhë poshtë të gjitha ankesat e kompanive për tenderin “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”. “Gjykata e tenderëve” e la në fuqi vendimin e ministrisë për dhënie të kontratës dhe e autorizoi që të vazhdojë me nënshkrimin e kontratës për këtë tender.
Mirëpo, kishin kaluar disa muaj dhe autoritet e ministrisë që udhëhiqej nga Pal Lekaj nuk e kishin nënshkruar këtë kontratë.
Kontratat me vlerë të madhe rëndom nënshkruhen nga përfaqësuesi i kompanisë, dhe tri autoritete më të larta të institucionit, ministri, sekretari dhe menaxheri i prokurimit. Lajmi.net kishte raportuar ish ministri, Lumir Abdixhiku dhe sekretari Izedin Bytyqi kishin hezituar që të nënshkruajnë këtë kontratë, pasi në hetimet ishte involvuar hetuesia.
Pasi qëndroi disa muaj mbi tavolinën e ish-ministrit, Abdixhiku dhe të ministrit, Arban Abrashi, kontrata “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë” ishte nënshkruar nga varësi i Abrashit, zëvendësministri i Infrastrukturës, Muhamet Gashi. Akti i nënshkrimit ka ndodhur pasi shefi i tij, Arban Abrashi ndodhej në SHBA si pjesë e delegacionit të Kosovës. Por, Ligji i Prokurimit Publik –LPP nuk lejon që kontrata të nënshkruhet nga një zv. ministër.
Kontrata “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë” peshon 14. milionë e 493 mijë euro.
Gjatë vlerësimit të kontratave, Ministria kishte rrëzuar një kompani shumë më të lirë e cila ishte e përgjegjshme, duke konsideruar se gjatë ankesës së saj, kompania kishte bërë ankesë të jashtë-afatshme në e-prokurim. Në raportin e saj të dorëzuar në prokurori, policia e ka theksuar këtë shkelje ku ka gjetur se ankesa ka qenë e afatshme.
Lajmi.net ka raportuar disa herë për këtë tender, për të cilin dyshimet janë se ka pasur shkelje të ligjit të Prokurimit kur janë rekomanduar për kontratë kompanitë fituese dhe kur nuk i është pranuar ankesa një kompanie e cila ka qenë shumë më e lirë.
Tenderi është i ndarë në dy pjesë (lot I dhe lot II).
Për pjesën e parë janë shpallur fitues kompanitë “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” në vlerë prej 7,849,716.18 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë 5 të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë 2A GROUP & 2T, me çmim prej 6,477,472.67 euro. Por, të gjitha këto kompani u shpallën të papërgjegjshme nga ministria.
Lot 2 të këtij tenderi e kanë fituar grupi i kompanive “PAPENBURG & ADRIANI”, me çmim prej 6,643,867.79 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë edhe dy të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë “SA-SALLAHU & GROMA HOLD”, në vlerë prej 5,894,246.39 euro, ose 749,621.40 euro më pak sesa oferta fituese.
Ky tender ka qenë dy herë në OSHP.
Fillimisht në tetor të vitit 2019, ministria kishte shpallur fituesit e tenderit për pjesën e parë “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” dhe për pjesën e dytë “Papenburg & Adriani”.
Pas shpalljes së rezultatit nga komisioni i vlerësimit, tek autoriteti kontraktues u patën ankuar shtatë kompani, duke pretenduar se janë eliminuar në kundërshtim me LPP-në dhe kërkesat e dosjes së tenderit, dhe duke pretenduar se kompanitë e rekomanduara për kontratë nuk i kanë përmbushur kriteret, as teknike e as me ofertën më të lirë. Më pas, ministria kishte formuar komisionin vlerësues për rishqyrtimin e pretendimeve të kompanive. Pas rishqyrtimit të ankesave, ministria kishte hedhur poshtë ankesat e të gjitha kompanive dhe kishte lënë në fuqi vendimin e vetë për dhënie të kontratës. Më pas, kompanitë janë ankuar në OSHP. Paneli i OSHP-së vërtetoi se tenderi nuk është vlerësuar konform ligjit dhe rekomandoi MIA-në që ta kthejë në rivlerësim përsëri. OSHP-ja vërtetoi se për këtë prokurim ka ofertë më të lirë të përgjegjshme, duke aluduar në ofertën e kompanisë “Sallahu” për lot 2, e cila ishte më e lirë se oferta fituese për 749,621.40 euro. Por, në rivlerësim OSHP-ja urdhëroi që të kthente dhe pjesa e parë e tenderit, pasi edhe aty kishte shkelje.
Por, pas rivlerësimit u shpallën fitues përsëri kompanitë e njëjta. Tek autoriteti kontraktues u ankuan vetëm dy operatorë, konzerciumi “Sa-Sallahu & Groma Hold”, dhe “2A Group &2T”. Përsëri ministria e formoi një komision vlerësues për të shoshitur pretendimet ankimore. Ofertën e 2A Group &2T” përsëri e hodhi poshtë duke e vlerësuar si të pa përgjegjshme. Ndërsa, për ofertën e “Sa-Sallahu” tha se ishte ofertë e jashtëfatshme e ngarkuar me pretendime në KRPP, dhe nuk e mori në konsideratë.
Këto dy kompani përsëri u ankuan në OSHP. Ky institucion e autorizoi ekspertin e vetë për shoshitjen e provave. Eksperti e përpiloi raportin ku rekomandoi që lënda përsëri të kthehet në rivlerësim, ngase sipas tij, ministria e kishte shkelur ligjin kur kishte shpallur operatorët ekonomikë si të përgjegjshëm, ndërsa ofertën e kompanisë “Sa Sallahu” e kishte konsideruar si të afatshme. Lajmi.net kishte raportuar se KRPP-ja kishte dhënë një përgjigje në këtë çështje, ku kishte thënë se ankesa me pretendime ishte ngarkuar në e-prokurim brenda afatit ligjor.
Megjithëkëtë, Paneli Shqyrtues kishte vendosur që të mblidhet në kohën kur ishin masat e rrepta të pandemisë, dhe më 18 mars kishte lëshuar vendim ku rekomandonte që të vazhdohet me nënshkrimin e kontratës me operatorët ekonomik që i rekomandonte ministria.