Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën “Agjenda për Barazi Gjinore e Policisë së Kosovës dhe Plani i Veprimit 2021-2023” ka folur mbi të gjitha për shqetësimin mbi pabarazinë gjinore në punësim në Polici dhe se sa ndikon kjo në shoqëri.
Më poshtë është fjala e plotë e Osmanit:
Jam e lumtur që sot të gjithë jemi bërë bashkë për të diskutuar një çështje të cilën e konsideroj prioritet kombëtar sepse bie edhe në kuadër të Agjendës së Grave për Paqen dhe Sigurinë. Si Presidente jam thellësisht e përkushtuar jo vetëm ndaj fuqizimit dhe promovimit të gruas në përgjithësi, por me theks të veçantë promovimin e tyre në sektorin e sigurisë, duke e parë këtë si parakusht për suksesin e gjithmbarshëm të shoqërisë sonë.
Jam e vetëdijshme se është bërë shumë mund e përpjekje për hulumtimin, hartimin dhe përfundimin e Agjendës dhe Planit të Veprimit për Barazi Gjinore të Policisë së Kosovës. Prandaj, më lejoni që t`ju përgëzoj të gjithë juve që keni kontribuar në këtë Agjendë dhe Plan të Veprimit. Në qendër të kësaj Agjende është Barazia, Diversiteti dhe të Drejtat e Njeriut, të cilat janë shtyllat mbi të cilat është ndërtuar Republika jonë.
Të gjithë e kemi e potencuar vazhdimisht rëndësinë e sundimit të ligjit si shtyllë thelbësore e suksesit të shtetit tonë në fusha të ndryshme. E ndër elementet kryesore të sundimit të ligjit është barazia e të gjithëve para ligjit e parimi i mosdiskriminimit, parime këto të cilat ndihmojnë që të arrijmë edhe barazinë gjinore në çdo fushë, përfshirë atë të sigurisë.
Në këtë kontekst, në veçanti duhet përmendur gratë dhe burrat, të cilët kanë punuar jashtëzakonisht shumë për të na sjellë në këtë fazë në të cilën jemi sot, dhe janë te vetëdijshëm se mbështetja jonë institucionale ndaj tyre do t`i përcaktojë kushtet për sot por edhe për të ardhmen e vajzave tona nga të gjitha sferat e jetës e nga të gjitha komunitetet të cilat do t`i shërbejnë vendit me nder e krenari, të barabarta në sfida dhe të barabarta në avancim.
Siç e dini, pabarazitë gjinore ndikojnë edhe në shkallën e krimit dhe në viktimat e tij. Këto pabarazi, gjithashtu ndikojnë në mënyrën se si luftohet krimi. Sa më shumë barazi në institucionet e sigurisë, po aq më shumë do të mbrohen viktimat dhe po aq shumë do të sillen para drejtësisë autorët e krimeve.
Kjo është arsyeja pse barazia gjinore në Polici dhe institucione tjera të sigurisë është kaq e rëndësishme, por edhe domosdoshme.
Barazia gjinore i ka sfidat e veta, të cilat janë rritur në Sektorin e Sigurisë për një sërë arsyesh. Rekrutimi policor, trajnimi, zhvillimi profesional, specializimet, avancimi në karrierë, vendimmarrja, udhëheqja dhe menaxhimi ekzekutiv – mundësitë e barabarta bazuar në merita dhe profesionalizëm, janë sfida të vazhdueshme në gjithë sektorin e sigurisë.
Institucioneve ju mbetet detyrë e përhershme që barazinë gjinore ta bëjnë pjesë të angazhimit të tyre të përditshëm, në funksion të efikasitetit, të cilësisë dhe profesionalizmit të shërbimeve, të cilat pastaj e rrisin edhe mirëqenien qytetare.
Gratë në uniformë ishin pjesë e gjeneratave të para të Policisë së Kosovës. Ky synim ka nisur atëkohë, e duhet të vazhdojë edhe më fuqishëm tash e tutje. E para tyre, kishte shumë gra që kontribuuan në rezistencën tonë dhe që gjatë luftës mbrojtën atdheun e tyre e të cilat dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në lirinë tonë, kontribut ky që shpeshherë injorohet. Ato gra që dhanë gjithçka që ne sot të kemi institucione të lira e të pavarura e të barabarta për të gjithë qytetarët janë burim i vazhdueshëm inspirimi për rrugën që kemi përpara.
Të nderuar pjesëmarrës,
Nuk ka shoqëri të barabartë, në qoftë se barazia nuk i prek të gjithë sektorët, duke përfshirë edhe sektorin e sigurisë, si një prej sektorëve bosht të shtetit. Ne duhet t`i inkurajojmë gratë që të bëhen pjesë e këtij sektori, duke siguruar mekanizma adekuat që dallimi gjinor në këtë strukturë të eliminohet çdo ditë e më shumë.
Duhet t`i shmangim stereotipet e betonuara për sektorin e sigurisë si një sektor i burrave. Nuk ka sektor të burrave, ka sektor të sigurisë me burra e gra që krahas njëri tjetrit kujdesen për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në Policinë e Kosovës janë diku 15 për qind gra. Por, kjo shifër është më e ulët në Shërbimin Korrektues me 13 për qind, në FSK me 11 për qind etj.
Këto statistika edhe pse mund të duken pozitive, në fakt nuk janë inkurajuese për shumicën e institucioneve të sigurisë, por në veçanti për vajzat dhe gratë që akoma nuk janë në këto institucione, e që synojnë të bëhen në të ardhmen. Prandaj të gjithëve na mbetet shumë punë që ta rrisim përkushtimin në mënyrë që këto statistika të pësojnë transformim të ndjeshëm dhe atë jo vetëm në numra, por edhe në përfaqësim e në rritje të rolit të grave në vendimmarrje në këto institucione . Gratë në këtë sektor nuk duhet të jenë aty vetëm sa për t`i përmirësuar statistikat siç e thonë disa kohë pas kohe, por atyre duhet dhënë përgjegjësia që iu takon, pra përgjegjësia në nivelet më të larta vendimmarrëse, sepse aty e meritojnë të jenë. Ato duhet të marrin sa më shumë pozita drejtuese për të treguar dijen dhe guximin e tyre të jashtëzakonshëm, e për t`i dalë në krye përgjegjësive shtetërore.
Pra, thënë thjesht, gratë mund të jenë police të jashtëzakonshme, kolonele, ushtare, gjenerale apo edhe pozita të tjera drejtuese, të cilat konceptoheshin tradicionalisht si të dedikuara për burrat. Dhe jo vetëm të jenë aty, por edhe rrënjësisht të kontribuojnë që të shtyjnë përpara institucionet që ato drejtojnë dhe ta shtyjnë përpara shtetin e tyre.
Që barazia gjinore të funksionojë me të vërtetë, duhet të jetë një ndërmarrje e përbashkët e të gjithë neve, si grave ashtu edhe burrave, të cilët duhet të jenë të përkushtuar për të vepruar bazuar në respekt, merita dhe profesionalizëm.
Pabarazitë janë rezultat i stereotipeve të shumta të pranishme në shoqërinë tonë, ndaj na duhen edhe ndryshime strukturore për ta ndryshuar dhe transformuar gjendjen ekzistuese.
Sa më shumë gra të përfshira në sektorin e sigurisë, aq më shumë siguri për shtetin tonë, e aq më shumë besueshmëri të qytetarëve në raport me këto institucione. Kjo do të konsolidojë edhe më shumë sigurinë, duke e bërë përfshirjen e grave në të si një veprim të përbrendësuar të secilit institucion të sigurisë. Prandaj, nga baza ligjore duhet të kalojmë në krijimin e mendësisë institucionale, e para se gjithash mendësisë kulturore, sipas të cilës institucionet bëhen të qëndrueshme, profesionale dhe efikase kur mundësitë e barabarta për të dy gjinitë janë abc – ja e veprimit tonë.
Pasi që jemi në fundvit, më lejoni që t`ju përcjellë të gjithëve urimet e përzemërta për të gjitha gratë dhe burrat që shërbejnë në sektorin e sigurisë dhe të gjithë ju që jeni sot këtu të pranishëm, duke ju dëshiruar shëndet dhe sukses në punë edhe përgjatë vitit 2022!