Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në një lidhje direkte në Klan Kosova nga Zvicra, ku ndodhet aktualisht pasi një ditë më herët ishte në Doha të Katarit në finalen e FIFA Arab Cup, ndërmjet Algjerisë dhe Tunizisë, ka folur për shumë çështje që kanë të bëjnë me futbollin kosovar, e posaqërisht për temën kryesore – zgjedhjen e përzgjedhësit të Kombëtares. Numri një i FFK-së ka thënë se ka shumë trajnerë të interesuar për t’i prirë Dardanëve në ciklin e ardhshëm, por që ende nuk kanë marrë ndonjë veprim konkret. Megjithatë, ai ka thënë se marsi do të jetë muaj kur Kosova do ta ketë përzgjedhësin e ri. “Ende nuk kemi vendosur për fazën finale të përzgjedhjes së 3 apo 5 emrave me të cilët do të zhvillojmë negociata. Do t’i shohim mundësitë tona ekonomike dhe në kuadër të këtyre mundësive do ta bëjmë edhe zgjedhjen e përzgjedhësit të ri, edhe pse kur bëhet fjalë për ekipin kombëtar asnjëherë nuk kursejmë. Sigurisht se përparësi do të ketë ai që i njeh pak mentalitetin dhe lojtarët tanë. Gjithsesi, ne do të mundohemi ta marrim trajnerin më të mirë të mundshëm në bazë të kushteve që i kemi. Në ndeshjet miqësore të marsit sigurisht do ta kemi trajnerin e ri”, ka theksuar Ademi, përcjell Futbolli.info.
Lidhur me atë nëse trajneri i ri në kontratë do ta ketë si kusht kualifikimin e Kosovës në Evropian, Ademi ka thënë se koha është që Kosova të ketë sukses. “Kërkesa sigurisht se do të jetë por nuk besoj që ka trajner që pranon të lidhë kontratë në atë mënyrë që të siguron se do të kualifikohemi. Ne synojmë të marrim një trajner që na kualifikon sepse jemi në ngritje të rezultateve dhe Kosovës i nevojitet tani një sukses, qoftë me Kombëtaren A apo me ekipet tjera zinxhir sepse nëse sivjet kemi çaluar diku atëherë kjo ka ndodhë pikërisht tek ekipet kombëtare. Tash e tutje Kosova e ka kohën e rezultateve. Pra, tani më nuk jemi në pozicionin e asaj që thuhet faleminderit për pjesëmarrjen, por thjesht duam rezultate”, ka shtuar Ademi. Ai ka folur edhe për shortin e Ligës së Kombeve, të cilin e ka vlerësuar jo të lehtë, por si mundësi të mirë për të arritur sukses, si dhe për vizitën e tij në Katar.