Gjykata merr vendim për të arrestuarit në Karaçevë

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të dyshuarve Liridon Kryeziu dhe Mustafë Leka, se organizuan bixhoz të paligjshëm në fshatin Karaçevë e Poshtme të Komunës së Kamenicës.

Kjo masë është caktuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, Sadri Krasniqi, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila është shqyrtuar të enjten, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Kujtesa Fazliu gjatë leximit të kërkesës ka thënë se konsideron që janë përmbushur arsyet për caktimin e kësaj mase.

Tutje prokurorja ka thënë se të dyshuarit janë recidivstë dhe do të pengojë rrjedhën e procedurës penale nëse lihen në liri.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarit Liridon Kryeziu, avokati Ymer Huruglica, ka thënë se konsideron se në kërkesën e prokurorisë arsyet vetëm janë numëruar si një numër i fakteve dhe provave, mirëpo sipas tij, si të tilla këto nuk vërtetojnë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

Edhe mbrojtësi tjetër i të dyshuarit Mustafë Leka, avokati Lulzim Canaj, ka thënë se e kundërshtojnë kërkesës e prokurorisë, duke konsideruar se paraburgimi nuk është e vetmja masë për sigurimin e të pandehurit në rrjedhën e  procedurës penale.

“I mbrojturi im është arrestuar në shtëpi dhe jo në ndonjë lokal ku pretendohet se është kryer vepra penale”, ka thënë avokati Canaj.

Ai ka kërkuar nga gjykata që mos ta aprovojë kërkesën e prokurorisë, duke theksuar se edhe me masa tjera alternative mund të sigurohet prezenca e të mbrojturit të tij në rrjedhën e ardhshme të procedurës penale.

Prokuroria Themelroe në Gjilan, më 15 dhjetor 2021, ka parashktuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve Liridon Kryeziu dhe Mustafë Leka, duke i ngarkuar ata me veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga neni 294 paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme prej gjashtë muajve deri në pesë vjet.

Sipas prokurorisë, i dyshuari Liridon Kryeziu nga koha e pacaktuar deri më 15 dhjetor të këtij viti, në fshatin Karaçevë e Poshtme të Kamenicës, te rruga e Breznicës tek objekti i Kaolinit, në lokalin pa emër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka organizuar lojëra bixhozi dhe lojëra fati, lojëra këto në kundërshtim me ligjin për ndalimin e lojrërave të fatit me numër 06/L-155.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se, i dyshuari Mustafë Leka, nga koha e pacaktuar deri më 15 dhjetor të këtij viti, në fshatin Karaçevë e Poshtme të Kamenicës, në lokalin pa emër të ndërtuar me material të fortë me pozicion në anën e djathtë të rrugës Novosellë-Karaçevë e Poshtme, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka organizaur lojëra bixhozi dhe lojëra të fatit, lojëra këto në kundërshtim me ligjin për ndalimin e lojërave të fatit me numër 06/L-155.

Ndryshe, Policia e Kosovës (PK) të mërkurën ka zhvilluar një aksion në fshatin Karaçevë, ku janë arrestuar dy persona dhe janë gjetur dhe konfiskuar aparate të lojërave të fatit, pistoletë, fishekë, shtëpiza kompjuteike, laptop, gjeneratorë e para të gatshme.