Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka treguar përparësitë e ndryshimit-plotësimit të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Në një intervistë ministri Krasniqi ka thënë se ministria e tij ka propozuar ndryshimet e nevoshme të cilat indirekt ndikojnë në shërbime më të mira për qytetarët e Kosovës.
“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale që nga aprovimi fillestar i tij në vitin 2008 nuk është plotësuar dhe ndryshuar. MAPL, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe duke u bazuar në nevojat e pushtetit lokal, ka propozuar ndryshimet e nevojshme të cilat synojnë funksionimin sa më të mirë të vetëqeverisjes lokal dhe Komunave në Republikën e Kosovës.
Funksionimi sa më i mirë i tyre, nënkupton edhe shërbime më të mira dhe jetë më kualitative për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Plotësimi ndryshimi i LVL-së, fokusohet në; Sqarimi i kompetencave vetanake; afatet ligjore për shqyrtim të ligjshmërisë së akteve komunale; matjen e performancës së komunave; çështjet e mandatit të anëtarëve të Kuvendit të Komunës; çështjen e mandatit të kryesuesit të kuvendit të komunës, është shtuar pozita e Zëvendës Kryesuesit të Kuvendit të Komunës; janë rregulluar rastet kur pozita e Kryetarit të Komunës mbetet vakante; është rregulluar dhe plotësuar procesi i zgjedhjes së Nënkryetarit të Komunës për Komunitete” ka thënë Elbert Krasniqi.
Javën e ka kaluar në Kuvend ka kaluar edhe granti i performancës. Ministri e ka vlerësuar lart këtë të arrituar duke përmendur efektin e tij edhe në Raportin e Progresit për dy vite me radhë.
“Projektligji për Sistemin e Menaxhimit të Performancës së Komunave dhe Skemave të Grantit të Bazuar në Performancë, i cili institucionalizon këtë skemë të financimit të komunave dhe ofron pavarësi nga çfarëdo ndikimi politik duke siguruar qëndrueshmëri të grantit për një periudhë afatgjate.
Efekti pozitiv i grantit të performancës u theksua për dy vite radhazi në Raportin e Progresit, duke u parafrazuar si shembull i mirë i financimit të komunave sipas kritereve meritore. Njëherësh, ky projektligj është edhe obligim në kuadër të MSA-së.
Përmes aprovimit të këtij ligji i hapim rrugë zbatimit të skemës së Grantit të Performancës 2022-2025, të financuar nga Donatorët dhe Qeveria.
Pra, kësaj skeme përveç donatorëve tradicional Qeverisë së Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë, do t’i bashkohet edhe Bashkimi Europian përmes fondeve IPA.
Kjo nënkupton më shume fonde dhe projekte për Komunat e Kosovës” ka thënë ministri.
Një nga premtimet e ministrit në marrjen e mandatit ka qenë edhe projekti për funksionalizimin e E-KOMUNAT. Krasniqi ka treguar në detaje se çfarë parasheh ky projekt.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në vazhdën e reformave të filluara sa i përket pushtetit lokal ka për synim që brenda një afati optimalkohor të filloj procesin e digjitalizimit të shërbimeve dhe aktiviteteve komunale. Në këtë kontekst në kuadër të planit qeverisës 2021-2025, MAPL ka paraparë zhvillimin dhe funksionalizimin e platformës E-KOMUNAT.
Kjo platformë do të jetë në shërbim të qytetarëve për rritur pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje në nivelin lokal, gjithashtu do të jetë në shërbim të vet komunave për digjitalizimin e shërbimeve komunale duke rritur efikasitetin e këtyre shërbimeve karshi qytetarëve.
Duke pas parasysh gamen e shërbimeve që do të ofrojë platforma E-KOMUNAT, ajo do të jetë platformë interoperabile me të gjitha platformat ekzistente që operojnë në shërbimin publik. Kjo platformë do të përfshijë shërbimet e 38 komunave të Republikës së Kosovës, duke ofruar shërbimet në gjuhet zyrtare në vendin tonë.
Platforma do të fokusohet në monitorimin e organeve komunale, rritjen e interaksionit qytetarë dhe përfaqësues të zgjedhur lokal, monitorimi dhe preanztimi në kohë reale i të gjitha investimeve, buxheti dhe të hyrat vetanake komunale, të dhënat e hapura dhe interaktive, ofrimi i shërbimeve për qytetarë dhe biznese online dhe përmes postës, planet urbanistike të lagjeve, lejet dhe kushtet ndërtimore, prezantimi i procesit të vlerësimit të ligjshmërisë së akteve komunale në kohë reale e shumë shërbime tjera. Platforma do të shërbej si pilot projekt për planin qeveritar për E-QEVERISJE.
Deri tani jemi në koordinim me institucionet e linjës dhe është mbajtur një takim njoftues me zyrtarët përkatës komunal. Gjithashtu, kemi mbajtur disa takime me partnerë ndërkombëtar të cilët janë bartës të proceseve të digjitalizimit në Europë dhe më gjerë” ka thënë ministri Krasniqi për Indeksonline.
Një nga ngjarjet e shumëpritura për Kosovën në vitin 2022 është edhe Konferenca e Donatorëve. Elbert Krasniqi ka njoftuar se kjo konferencë do të mbahet në fillim të vitit që po vije.
“Ne jemi duke bërë aktualisht një diagnostifikim të impaktit që COVID 19 ka pasur në nivelin lokal. Ky studim do të na ndihmojë të identifikojmë problemet dhe kemi menduar që për ti adresuar këto probleme nevojitet një konferencë e donatorëve dhe investitorëve. Kjo pritet të ndodhë në pjesën e parë të vitit 2022” ka thënë ministri Krasniqi.