KEP sponsor i ri i FFK-së

Federata e Futbollit e Kosovës është bërë me  partner të ri. Bëhet fjalë për institucionin mikro-financiar KEP. Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë, sot, në selinë e FFK-së nga presidenti Agim Ademi dhe kryeshefi ekzekutiv i KEP-it, Shpend Nura. Kjo marrëveshje vjen si rrjedhojë e mirëbesimit ndërmjet këtyre dy institucioneve dhe në bazë të Ligjit për Sponsorizime në fushën e sportit. I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje ishte edhe kryeshefi i biznesit në KEP, Hashim Sejdiu. Presidenti Ademi ka falënderuar drejtuesit e këtij institucioni mikro-financiar që e kanë zgjedhur FFK-në për ta mbështetur me mjetet e tyre. “Ne ndjehemi të lumtur dhe krenar që kompani dhe institucione afariste na ofrohen për bashkëpunim. Vlerësimi juaj ka rëndësi të madhe për ne, ngase kur ke si partnerë brende të njohura, atëherë ky është sinjal i mirë se po vlerësohesh nga njerëzit për punën e mirë“, ka theksuar presidenti Ademi. Nga ana e tij kryeshefi ekzekutiv i KEP-it, Shpend Nura shprehu falënderimin ndaj presidentit Ademi për bashkëpunimin dhe mundësinë që të jenë në mesin e sponsorëve të FFK-së. “Kemi zgjedhur FFK-në për ta sponsorizuar pasi është federata sportive më e madhe në vend. Kjo marrëveshje është e mirë si për federatën, e po ashtu edhe për ne. Ndoshta ne nuk jemi institucion aq i madh sa të krahasohemi me bankat e mëdha, por dëshira jonë ka qenë që për aq mundësi sa kemi të ndihmojmë aktivitetet sportive në kuadër të Ligjit për Sponsorizime. Uroj që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme”, ka thënë Nura. Ndërkaq, kryeshefi i biznesit në KEP, Hashim Sejdiu ka thënë se serioziteti i punës së FFK-së ka pas ndikim në marrjen e vendimit për të sponsorizuar këtë federatë, teksa ka thënë se qëllimi i tyre është që ky partneritet të jetë afatgjatë dhe bashkërisht të arrijnë progres në të gjitha sferat.