Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur pakënaqësinë në referimin e Kosovës me fusnotë në raportin “Promovimi i demokracisë lokale”, që u publikua sot nga Kongresi i autoriteteve rajonale dhe lokale të Këshillit të Evropës në Prishtinë.
Ai tha se përdorimi i fusnotës për Kosovën në forumet ndërkombëtare e kanë bezdi, pavarësisht se është trashëgimi e hidhur nga qeveritë e kaluara.
Kreu qeveritar tha se fusnota nuk e paraqet realitetin e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe përdorimi i saj edhe në raportet në Kosovë është keqpërdorim dhe keq citim, i cili duhet të përmirësohet.
“Ne e dina se në forumet e ndryshme ndërkombëtare dhe evropiane e kemi bezdi fusnotën, këtë asterisk që i vishet emërtimit të vendit tonë. Po ashtu e dimë se është një trashëgimi e hidhur nga qeveritë e mëhershme, por më lejoni të shpreh pakënaqësi në mënyrën e përdorimit të asteriskut sepse kjo nuk reflekton realitetin e një Kosove të pavarur dhe evropiane, të njohur nga shumica e shtetit të Këshillit të Evropës. Por as edhe të marrëveshjes së trashëguar nga dialogu në Bruksel për përfaqësimin rajonal. Në raport asterisk është përdorur sa herë është përdorur emërtimi Kosovo, ndërsa ka vetëm një referencë në fillim të raportit ku e shpjegon asterisk e cila është ndryshe prej çdo reference tjetër që kemi hasur. Kjo është më e rëndë, pasi po ndodh në Kosovë dhe jo diku në arenën ndërkombëtare. Besoj se ky keq citim dhe keqpërdorim duhet adresuar dhe përmirësuar”, tha Kurti.
Duke folur për demokracinë lokale, kreu qeveritar tha se komunat gëzojnë nivel të lartë te kompetencave vetanake dhe qeverisjes së mirë.
Por tha se niveli i demokracisë në komunat në veri është më i lëndueshëm, pasi qytetarët janë në trysni të vazhdueshme. Këtë tha se do ta përmirësojnë përmes sundimit të ligjit dhe dialogut me komunitete.
“Demokracia lokale në Kosovë po ecën mirë. Në përgjithësi komunat në Kosovë gëzojnë nivel më të lartë të decentralizimit dhe qeverisjes më të mirë, krahasuar edhe me disa shtete anëtare të BE-së, lere më të rajonit. Komunat tona gëzojnë kompetenca të gjëra vetanake të cilat nuk gjenden edhe në vendet e BE-së dhe përgjithësi kanë mësuar të udhëheqin me punët e tyre. Nga ana jonë ne jemi zotuar për garantin e katërt për komuna, i cili mundëson edhe autonomi më të madhe për investime kapitale dhe zbatim të projekteve për zhvillim të gjithmbarshëm, i cili duhet të rezultojë në performancë më të mirë”, tha ai.
Përmes një video-lidhje, sekretari gjeneral i kongresit të Këshillit të Evropës, Andreas Kiefer, tha se një prej detyrave të tyre është rivlerësimi i standardeve të demokracisë lokale.
“Një prej detyrave të kongresit është t’i rivlerësojë standardet e demokracisë lokale. Instrumenti kyç është karta evropiane dhe krijimin e standardeve për t’i mbrojtur të drejtat lokale dhe rajonale. Një prej dispozitave kryesore është neni 3 që është miqësia e autoritete lokale për t’i rregulluar dhe menaxhuar një pjesë të mirë të marrëdhënieve publike dhe nën përgjegjësinë e tyre, e cila është në interes të popullatës”, theksoi ai.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se nën Qeverinë Kurti, vetëqeverisja lokale ka marrë vëmendjen dhe fokusin që meriton.
“Vetëqeverisja lokale më në fund ka marrë vëmendjen dhe fokusin që e meriton, si nga ana e qeverisë, ashtu edhe nga ana e organizatave ndërkombëtare. Një gjë e tillë gjithashtu është përgjegjësi dhe kërkon angazhim dhe përkushtim maksimal që të avancojmë këtë fushë dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë”, u shpreh ai.
Ndërsa, kryetari i Asociacionit të komunave në Kosovë, Imri Ahmeti tha se projektet e tilla janë të rëndësisë së veçantë për komunat.
“Ky projekt është i rëndësisë të veçantë për ne, pasi përveç tjerave krahason legjislacionin në fuqi në Kosovë me kartën evropiane për vetëqeverisje lokale. Është me rendësi për t’u theksuar se kongresi është hartues i kartës evropiane për vetëqeverisje lokale, prandaj ne vlerësojmë se ky institucion është autoriteti që mund të bëjë vlerësimin kredibil dhe kompetent”, deklaroi Ahmeti.
Kongresi vazhdoi punimet edhe në sesionin e dytë ku u diskutua në detaje për sfidat e vetëqeverisjes lokale.