Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vazhduar kritikat e tij ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
Në seancën që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, Haradinaj ka kritikuar kryeministrin Kurti për vonesën e Ligjit të Pagave, i cili nuk është sjellur ende në Kuvend.
Pas fjalës së Haradinajt, ka reaguar vetë kryeministri Kurti, i cili i është kundërpërgjigjur propozimeve të Haradinajt.
“Për mua është e qartë se ata që po na kritikojnë në thelb e doni atë ligjin e shfuqizuar. Ju po doni të nxitohemi rishtaz për një ligj të vjetër, që ne t’ia gjejmë paratë atij ligji të vjetër. Po ju theksoj, jemi vonuar sepse ju jeni nxituar. Pikërisht duke i bërë ligjet shkel e shko na keni lënë pa ligj. Nëpërmjet urgjencës ju e keni dëmtuar rëndësinë. Ne e trajtojmë me rëndësi dhe urgjencë përgatitjen për të. Jo shkeljen shkel e shko për një miratim Ad-Hoc. U theksuan shpresat e qytetarëve. Pajtohem për këtë, ata kanë shpresa tek ne. Por ky nuk është problem i juaji, shpresat e qytetarëve mi lërni mua, unë merrem me ta. Është diçka interesante. Pronarët e mëdhenj kanë hallë pagat e zjarrifkësve, pronarët e mëdhenj të qindra hektarëve thonë me ua rritë nja 5% pagat zjarrfikësve. Qysh me besu këtë situatë? Këta janë lot krokodili, prandaj këta pronarë të mëdhenj të tokave nuk janë as të sinqertë e as seriozë. Konkretisht meqë mu dha propozimi që ministrat e mi t’i çoj te KEK-u e të mërdhihemi, e kam një propozim tjetër, deputeti Haradinaj, le t’i kthen në shtet ata 200 hektarë, e na ia kthejmë 70 mijë euro”, ka qenë përgjigja e Kurtit.