“Gërvalla menxi s’pret të jap dëshmi për Thaçin e Veselin por reagoi për Reçakun”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati ka kritikuar institucionet e Kosovës, për siç tha reagimin e dobët ndaj mohimit të serishëm të masakrës së Reçakut, nga ministri serb, Aleksandër Vulin.

Në foltoren e Kuvendit, ku vendosi mesazhin “Vuline pusti vodu”, që në shqip do të thotë “Vulin, lëshoje ujin”, Kastrati mes përplasjeve me deputetët e mazhorancës, tha se është dashur një reagim më i ashpër në këtë drejtim.

“Nuk pash një reagim të ashpër nga kjo qeveri, nuk pas reagim të ashpër. Dëgjo çfarë po flas, ju keni qenë, ‘shuj me axhin’ edhe në rrugë për Palestinën dhe keni dramatizuar Palestinën atje, Palestina, Millosheviqit i jepte medalje kur i kish bërrylat deri këtu me gjak në Reçak. Prandaj unë, jo me iu kritiku juve, por me jep një porosi prej këtu me gjuhën e tij që është e turpshme se në të dalim me një reagim aq të dobët, jo si qeveri, po edhe si shoqëri. Është dashur që kjo ministrja e Kurtit, Gërvalla që bënë ‘takataka’ që menxi s’pret me jep dëshmi për Hashimin dhe Kadriun atje, por nuk u pa të reagoj për këtë çështje. Kjo porosia poshtë shkon për atë zotëriun atje, është e vdekur kjo, ata e dinë dhe e kanë të kot pasi realistin që jetojmë sot e kanë mundësuar Reçaku dhe shumë Reçaka të tjerë”, tha ai.

Deputetit i reagoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se shteti i Kosovës ndaj këtyre veprimeve reagon me procese gjyqësore dhe dënime.

“Zotëri Kastrati nëse jeni në ngjarje, shteti i Kosovës ndaj këtyre veprimeve reagon me procese gjyqësore dhe dënime të cilat i mohojnë këto masakra në Kosovë. Kjo është mënyra e reagimit të shtetit tonë dhe gjykatave tona”, theksoi ai.