Çka përmban filmi serb për Reçakun?

“Dosja e Kosovës” quhet filmi më i financuar nga Qeveria e Serbisë që synon ta ndërrojë rrëfimin e njohur botërisht për luftën në Kosovë, e sidomos për masakrën e Reçakut.

Madje, ministria e Punëve të Brendshme, në krye me Aleksandar Vulinin, i ka publikuar edhe disa inserte filmike e ku shihet se si në vend të viktimave civile që ishin të moshave të shtyra, shfaqen pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët vriten në istikame në betejë me forcat special të Serbisë.

Vetë Vulin që e ka vizituar shesh-xhirimin ka deklaruar se përmes këtij filmi do t’i dëshmojnë botës se kjo masakër është një gënjeshtër dhe vrasja e civilëve shqiptarë është një falsifikim.

Siҫ tha Vulin “pretendimi për masakrën është fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”.

Për këtë deklaratë ka reaguar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Osmani tha se përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vulini si besnik i tij.

“E vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera, NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal”.

Po ashtu deklarata e ministrit të Brendshëm serb ka ngjallur reagime të ashpra edhe te Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë kundërpërgjigjur duke thënë se Masakra e Reçakut është një mizori e dokumentuar mirë.

Zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se “Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës më 1999-n”.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, tha Peter Stano.

Reagim pati edhe nga ish-diplomati amerikan, William Walker, i cili ishte i pari që vizitoi vendin ku ndodhi masakra në janar të vitit 1999. William Walker, që në atë kohë kryesonte misionin vëzhgues të OSBE-së, u shpreh, se “përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë”.