Vulin e quajti “gënjeshtër” masakrën e Reçakut, reagimet ndaj ministrit serb

Mohimi i masakrës së Reçakut nga zyrtarët serbë ka nxitur reagime të shumta nga ndërkombëtarët. Ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili e quajti masakrën e Reçakut si “gënjeshtër”, kanë reaguar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian si dhe ish-diplomati amerikan, William Walker, i cili ishte i pari që vizitoi vendin ku ndodhi masakra.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në reagimin e bërë kanë thënë se “mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë”.

“Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor”, thuhej në reagimin e SHBA-së.

Ndërsa, zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, në reagimin e tij ka pohuar se masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës më 1999.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, tha Stano.

Në anën tjetër, ish-diplomati amerikan, William Walker, thotë se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë.

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, thotë Walker.

Walker ishte personi i parë që vizitoi Reçakun, në ditën kur ndodhi masakra në këtë fshat.

Asokohe, Walker ishte shef i një misioni vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Pas vizitës në vendin e masakrës, ai mbajti një konferencë në Prishtinë, ku për herë të parë deklaroi se ajo që kishte parë, ishte “një krim i rëndë kundër njerëzimit”.

Ndryshe, kanë kaluar 22 vjet nga lufta në Kosovë, ku janë vrarë mbi 13,500 persona, në mesin e tyre fëmijë, gra e pleq.

Gjatë luftës së fundit 98/99, në fshatrat e qytetet e Kosovës janë kryer mbi 400 masakra nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes

Krimet e kryera në këtë fshat i kishte dokumentuar kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.