“Pa vend”, pas Kanës dhe Torontos, përzgjidhet edhe në Sundance

Filmi “Pa vend” nga Samir Karahoda, pas Festivalit të Filmit në Kanë, Festivalit të Filmit Ndërkombëtar në Toronto dhe nominimit për filmin më të mirë të shkurtër evropian, është përzgjedhur edhe në festivalin e madh të Sundance.

Producenti i këtij filmi, Eroll Bilibani, tha se gjithçka filloi nga një përpjekje për të treguar rrëfimin e një grupi entuziastësh që me çdo kusht donin ta mbanin gjallë sportin e pingpongut në Kosovë.

Ky rrëfim i tyre e inspiroi regjisorin Samir Karahoda që ta trajtojë këtë temë nëpërmjet filmit, duke i angazhuar protagonistët e njejtë të rikrijojnë skenat ashtu siç kanë ndodhur në vitet e pasluftës.

“Pa vend” e dërgoi Kosovën në festivalin prestigjioz të filmit në Kanë, ku edhe u përzgjodh si kandidat i këtij festivali për çmimin vjetor të Akademisë Evropiane të Filmit.

Filmi “Pa vend” do ta përfaqësojë Kosovën përsëri si filmi i parë i një regjisori nga Kosova në festivalin më të madh të filmit në SHBA.

Pas premierës botërore, filmi e filloi rrugëtimin nëpër festivale prestigjioze të filmit, duke kulmuar me çmimin kryesor IMDB Pro Short Cuts në njërin ndër festivalet më të rëndësishme në botë Toronto International Film Festival. Me këtë çmim “Pa vend” zyrtarisht kualifikohet për kategorinë e filmit të shkurtër për Oscars 2022.

Suksesi i filmit është përtej të gjitha pritjeve, pasi që ka arritur të përzgjedhet në 3 nga 5 festivalet më të rëndësishme në botë, si dhe ka arritur të fitojë 7 çmime në festivale brenda vetëm 5 muajve.

Regjinë dhe kinematografinë e këtij filmi e ka realizuar Samir Karahoda, derisa producent është Eroll Bilibani.

Filmi është produksion i shtëpisë filmike SK PICTURES dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Komuna e Prizrenit, Mabetex Group, TV Arte, TV Yle, Dokufest dhe distribuohet nga Radiator IP Sales.