Është arritur pajtim gjyqësor në rastin ku ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e Kujtim Shala, po kërkojnë nga Universiteti i Prishtinës (UP) kompensimin e pagave të papaguara dhe të ardhurave tjera.
Marrëveshja është arritur në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që palët kanë shprehur vullnetin e tyre për një gjë të tillë.
Sipas kësaj marrëveshje e paditura UP, detyrohet që paditësit Avdullah Hoti t’ia kompensojë shumën prej 5 mijë e 311 euro e 45 centë, paditëses Hykmete Bajrami shumën prej 4 mijë e 416 euro e 71 centë dhe paditësit Kujtim Shala shumën prej 3 mijë e 938 euro e 95 centë.
Të gjitha këto shuma të lartcekura, në emër të kompensimit të diferencës së pagës sekondare për periudhën kontestuese dhe atë për tërë vitin 2015, ndërsa për vitin 2016 vetëm për muajin janar, shkurt, mars, prill dhe maj, raporton betimiperdrejtesi.
Ndërsa, sa i përket shpenzimeve të procedurës, palët ndërgjyqëse janë dakorduar që secila palë t’i bartë shpenzimet e veta.
Fillimisht, përfaqësuesi i paditësve, avokati Durim Osmani dhe përfaqësuesi i të paditurës UP, Safet Thaqi, e kanë njoftuar gjykatën se janë pajtuar që këtë lëndë ta zgjidhin me pajtim gjyqësor.
Marrëveshjen e arritur ndërmjet palëve ndërgjyqëse e ka lejuar gjykatësja Rezarta Sylejmani-Voca, e cila tha se ky pajtim e ka fuqinë e aktit përmbarues.