Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat dhe të evitojnë grumbullimet.
IKSHPK këtë paralajmërim e ka bërë nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare të tyre në ‘Facebook’, derisa ka kërkuar edhe vaksinimin e qytetarëve, shkruan lajmi.net.
“Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja, dhe kjo do të mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësor. Andaj, IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në postimin e IKSHPK-së
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, potencohet tutje.
Ky institut ka dhënë informacione edhe për dozën e tretë të vaksinës, e cila do të jepet tek qytetarët që tashmë kanë marrë dy doza dhe imuniteti i tyre shkon drejt rënies.
“Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë”, thuhet tutje në postimin e tyre.
“Doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë”.