LDK i bën ofertë PDK-së dhe Vetëvendosjes për bashkëqeverisje në këtë komunë

Ilir Ferati sot e ka pranuar edhe zyrtarisht detyrën e kryetarit të Istogut. Megjithatë, LDK nuk e ka siguruar shumicën e nevojshme në asamblenë komunale.

Ferati në një prononcim ka bërë të ditur se janë duke zhvilluar bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

I pari i Istogut thotë se synimi dhe qëllimi është që të ketë një qeverisje të mirë, e cila do t’i shërbej të gjithë qytetarëve të kësaj komune pa dallim.

“Jem në diskutim me dy parti opozitare, ende nuk kemi arrit marrëveshje. Jemi në diskutime me VV-në dhe PDK-në. Nuk kemi mbërri ndonjë konkluzion të marrëveshjes. Kemi edhe disa ditë afat sipas ligjit për zgjedhjen e kryesuesit. Na duhen edhe tre asamblist me siguru shumicën”, ka thënë Ferati.

Më tej, ai nuk ka treguar nëse synon të arrij marrëveshje më këto dy parti, apo vetëm me njërën prej tyre.

Komuna e Istogut është drejtuar për disa mandate nga bashkëpartiaku i Feratit, Haki Rugova.

Ilir Ferati e mposhti në balotazh, Bekë Berishën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.