Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se nuk ka pse të kërkojë falje për veprimet e tij lidhur me dokumentet që, nga një person i panjohur, kishin arritur në organizatë vitin e kaluar. Kjo sipas tij meqë ai nuk i ka vjedhur dokumentet dhe nuk ka lexuar e as publikuar emrin dhe deklaratën e ndonjë dëshmitari që ishte pjesë e paketës me dokumente.
Derisa prokurorja Valeria Bolici e ka pyetur Gucatin nëse është penduar për veprimet si pasojë e së cilave është akuzuar dhe po gjykohet, Gucati ka thënë se nuk ka ndonjë arsye për të kërkuar falje.
“Deri në ditën e sotme, 54 vjet e mija që kam, dhe mbi 30 vite që punoj nuk e di që jam penduar për ndonjë punë. Pendohem aty ku gaboj me qëllim, kërkoj falje, aty ku unë e di që nuk kam bërë gabim, nuk kam nevojë të kërkoj falje sepse këto dokumentacione nuk i kam vjedhur dhe nuk i kam pru në Organizatën e Veteranëve të Luftës. Po t’i kisha vjedhur këto dokumentacione publikisht do të kërkoja falje për hajninë që kam bërë, hajni nuk kam bërë dhe unë nuk kam fyer asnjë njëri, asnjë dëshmitar, asnjë deklaratë nuk e kam lexuar kështu që nuk kam arsye të kërkoj falje përderisa unë nuk kam vjedhur dhe nuk kam thyer askënd shpirtërisht”, ka thënë Gucati para trupit gjykues.
Gucati i ka thënë Prokurorisë që mos t’i provokojnë me dokumente të tilla kur prokurorja Bolici e ka pyetur nëse do të vepronte njëjtë përsëri.
“Unë nuk jam gardian i askujt, i asnjë institucioni në vendin tim së pari, por as në Hagë këtu në Holandë. Unë i ruaj zyrat e mija ku punoj, jam garidan i asaj pune ku jam i thirrur. Kështu që ju kisha bërë lutje mos na provokoni me dokumentacione”, ka thënë Gucati.
Me këtë kanë përfunduar pyetjet e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar ndërsa i akuzuari Hysni Gucati nga banka e dëshmitarit po vazhdon t’u përgjigjet pyetjeve të turpit gjykues.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.