Ambasadori i Kosovës në Berlin thotë se Gjermania duhet të ketë emisar për dialogun Kosovë-Serbi

Ambasadori i ri i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka thënë edhe Gjermania do të duhej të kishte një të dërguar të posaçëm për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai ka deklaruar se fuqia politike e Gjermanisë duhet të përkthehet edhe më shumë ne praktikë e të luajë rol prijës në kuadër të BE-së.

“Është fat për mua që misionin tim ta filloj bashkë me qeverinë e re gjermane. Është hera e parë që qeveria gjermane flet me kaq hollësi për Ballkanin Perëndimor qysh në planin qeverisës. Dhe ky fakt më jep shumë optimizëm se në takimet e mia mund të bisedojmë për projekte konkrete. Unë këtë e vura re edhe në takimin tim me presidentin Frank Walter Steinmeier, i cili është një njohës shumë i mirë i Kosovës dhe rajonit”.

“Pra, marrëdhëniet janë të shkëlqyeshme, falë edhe një pune që është bërë nga paraardhësit e mi por edhe nga mërgata qysh në vitet 1990 me qeverinë në ekzil të Republikës së Kosovës, e në mos më parë. Por ne kemi nevojë për një angazhim më të fortë të Gjermanisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Pra, kemi nevojë që fuqia politike e Gjermanisë të përkthehet edhe më shumë ne praktikë e të luajë rol prijës në kuadër të BE-së, pse jo ndoshta të kemi edhe një të dërguar gjerman. Gjermania ka një konstante aktive të angazhimit të suksesshëm të saj në Kosovë dhe Ballkan. Gjithashtu mendoj se duhet ndryshuar narracioni i krijuar gabimisht në perëndim dhe fatkeqësisht edhe në Gjermani se pa Serbinë nuk mund të ketë zgjidhje në Ballkan,” ka thënë ai në një intervistë.