Qeveria aktuale vazhdimisht është akuzuar për punësime familjare në institucionet publike. Anipse gjatë fushatës zgjedhore , Albin Kurti pati premtuar se nuk do të ketë punësime familjare, duke u shprehur se: Familjarët janë për dasma, ndërsa profesionistët për punë.
Pavarësisht kësaj shprehje, duket se nëse jo Kurti janë zyrtarët të cilët funksionojnë në kuadër të ministrive po punojnë në këtë drejtim.
Ngjashëm është vepruar së fundi në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë.
Burime të lajmi.net, bëjnë të ditur se një punësim familjarë ka ndodhur së fundi, ku dy kushërira vazhdojnë të punojnë në të njëjtën ministri.
Njëra prej tyre ishte punësuar si këshilltare në kuadër të kabinetit të ministres së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, por pak ditë më vonë pas saj në kuadër të kësaj ministrie rehatin më të mirë në punë gjeti edhe kushërira.
Këshilltarja e ministres, Blerona Shala pas veti duket se mori edhe kushërirën, Doruntina Shala teksa kjo e fundit më parë punonte në kuadër të të departamentit të Industrisë.
Shala më herët ishte zyrtare e lartë për infrastrukturë të cilësisë dhe nostrifikime.
E pak kohë më vonë, Doruntinë Shala është zyrtarizuar si udhëheqëse e Divizionit për Marrëveshje Tregtare, në kuadër të Departamentit të Tregtisë.
Pavarësisht se në departamentin e tregtisë pati njerëz të shumtë të tjerë të cilët mund të emëroheshin në këtë detyrë, siç duket Shala u “shpërblye” pikërisht nga familjarizimi në këtë ministri.
Por sipas ministrisë përkatëse, Doruntina Shala është caktuar si zëvendësuese e përkohshme në pozitën e Udhëheqëses së Divizionit për Marrëveshje Tregtare.
Duke mos mohuar emërimin e saj, nga kjo ministri kanë theksuar se caktimi i zonjës Shala në këtë pozitë është bërë pas kërkesës së Departamentit të Tregtisë, të cilët kanë kërkuar zyrtar me përvojë adekuate dhe përgatitje të lartë profesionale.
“Doruntinë Shala është caktuar si zëvendësuese (përkohësisht) në pozitën Udhëheqëse e Divizionit për Marrëveshje Tregtare në Departamentin e Tregtisë.Caktimi i znj. Shala, në këtë pozite, është bërë pas kërkesës së Departamentit të Tregtisë, që kanë kërkuar zyrtar me përvojë adekuate dhe përgatitje të lartë profesionale për shkak të nevojës për përmirësim të përfaqësimit rajonal dhe ndërkombëtar ne lidhje me politikat tregtare. Znj. Shala ka të mbaruar magjistraturën në BE dhe të financuar nga skema e celulës se re (young cell scheme)”, u tha në përgjigjen e ministrisë së drejtuar nga Rozeta Hajdari.
Vendimi për emërimin e Doruntinë Shalës në këtë pozitë ishte marrë me më 25 nëntor të këtij viti.
“Vendimi është bërë me datë 25.11.2021, me nr. protokollit 9528.
Por duke mos dashur të flasin më gjerësisht për mundësinë e punësimit familjar në mes të dy kushërirave, nga ministria kanë thënë se sa i përket lidhjes familjare të saj me ndonjë këshilltar të Kabinetit të Ministres, Divizioni i Burimeve Njerëzore në MINT nuk ka poseduar informacione të tilla.
“Sa i përket lidhjes familjar të saj me ndonjë këshilltar të Kabinetit të Ministres, Divizioni i Burimeve Njerëzore në MINT nuk posedon informata të tilla”, u tha në përgjigje.
Lidhur me punësimet familjare në institucionet publike kryeministri Kurti pati deklaruar se nuk mundemi me i mbush ambasadat sikur nuk mundemi me i mbush as ministritë me kushërinj.
“Kushërinjtë janë për te shtëpia, familja është te shtëpia. Kur të bahet ministër dikush, a zv/ministër, deputet a kryeministër duhet me u bë vetëm ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat, s’ka dasma nëpër ministria”, pati thënë Kurti në një nga tubimet e tij elektorale para marrjes së pozitës.
Por pak më vonë kjo fjali e Kurtit ra në ujë, pasi të emëruarit e tij menjëherë patën filluar me punësime të familjarëve të tyre.