Kënga “Kudo të shoh ty”: Një rrëfim për kujtimet që na ndjekin (Video)

“Ndonjëherë, kur një person mungon, e tërë bota duket e shpopulluar” (Lamartine). Ndërsa, “muzika është mënyra hyjnore për ta rrëfyer … gjërat poetike të zemrës” (Pablo Casals).

Kënga “Kudo të shoh ty” është rrëfim për vetminë, kur na mungon dikush, apo kur e kërkojmë veten e kur e gjejmë atë, dhe shohim që nuk është e përputhshme, në pajtueshmëri me botën, sepse mungon diçka e rëndësishme – esenciale. Është rrëfim dhembjeje, për dashurinë e humbur apo për humbjen e personit të dashur. Është rrëfim çlirimi, sepse ballafaqohet me hidhërimin – me të vërtetën. Nuk njeh gjini; nuk specifikon asgjë, por pasqyron momentin e caktuar në jetë nëpër të cilin çdokush mund të kalojë.

Sipas shumë njohësve të muzikës që e kanë dëgjuar këtë realizim, para publikimit, “Kudo të shoh ty” është këngë e pazakontë për mënyrën se si është konceptuar, konstruktuar dhe se si e përçon mesazhin. Aq më shumë që ka qenë e përfunduar më 2006, për të pritur 15 vjet, në një si test nëse mosha e ndryshon ndjesinë e një momenti, apo nëse koha shëron. Cilado qoftë e vërteta, kënga është edhe një kujtesë që na ndjek, si dikur, si sot, si nesër.

Muzikën, tekstin dhe aranzhmanin e këngës “Kudo të shoh ty” e ka bërë Agron Shala; vokalet e interpretuara me ndjesi të rrallë janë të rok-këngëtarit të mirënjohur, Bashkim Kërqeli; ndërsa kitarat e interpretuara ashtu për ta përforcuar mesazhin e temës, janë të ikonës së rokut në Kosovë, Muhamet Veseli – Muha, që ka bërë edhe miksin dhe postproduksionin e këngës.

Ndihmë në finalizimin e këtij projekti kanë dhënë edhe mjeshtri i dizajnit, Faton Hasimja; poeti i madh shqiptar, Xhevdet Bajraj; filmbërësi i pavarur, Vranin Gecaj; ikonat e rokut shqiptar, Hektor Gjurgjiali dhe Shkëlzen Veseli; si dhe multi-instrumentalisti Ilir Veseli.

Kënga tashmë është në platformat kryesore të shpërndarjes së muzikës, si Apple Music, Spotify, Amazon, Deezer, iTunes, Youtube Music …

Teksti është si më poshtë.

***

KUDO, TË SHOH TY!

Në dhomën tonë

I vetëm, në qosh

Hapësirë e zbrazët

Por ty, kudo të shoh

Kujtesa më flet

Zemra shpejton të vdes

Prej vetes po iki

S’e dua të t’afroj