Deputetja Kryeziu: Lutfi Haziri, paska shkelur Ligjin e Prokurimit, për projektin e QKMF-së

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu e cila vjen nga Komuna e Gjilanit ka reaguar lidhur më vendimin e komunës për të nënshkruar kontratë të negociuar për “Rregullimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në QKMF -Objekti i ri”.

Ky reagim i deputetes, Kryeziu ka ardhur pas publikimit të shkrimit të lajmi.net me titull; “Lutfi Haziri dorëzon mandatin duke lënë një kontratë të kundërligjshme për njeriun e afërt me LDK-në”.

Komuna e Gjilanit ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik për të shpërblyer me kontratë në vlerë 168 496,30 euro kompaninë, “Ceni Group” SH.P.K, pronarët e të cilës janë të afërt me LDK-në. Kjo pasi, prokurimi komunal, nuk ka zbatuar procedurën e hapur të prokurimit për tenderin “Rregullimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në QKMF -Objekti i ri”. Për realizmin e projektit është përdorur “Procedurë e negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës”. Kësisoj, prokurimi komunal nuk ka lejuar konkurrencë, por ka proceduar me negocim me kompaninë “Ceni Group”.

 

Objekti i ri i QKMF-së në Gjilan ka nisur të ndërtohet në vitin 2016.

Në fushatën e zgjedhjeve lokale 2017 u premtua se do të hapej. Nuk u hap. Në fushatën e zgjedhjeve nacionale 2019, u premtua prapë se do të hapej. Nuk u hap. Çdo vit, një premtim i tillë, i dështuar kuptohet.

Sot, tek jemi shumë pak ditë para se kryetari i ri i Gjilanit Alban Hyseni të marrë detyrën e tij, kuptojmë dhe zyrtarisht që kryetari i dy mandateve të dështimit në Gjilan Lutfi Haziri, paska shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, pikërisht për këtë projekt, duke lidhur kontratë shpërblyese me kompaninë “Ceni Group”. E për këtë të fundit, po besoj të gjithë e dijmë afërsinë e tyre me ish-krerët e Komunës.

Për ta sqaruar më tej, pra bëhet fjalë për QKMF-në që akoma nuk është funksionalizuar. Sipas arsyetimeve të kontratës, reshjet e disa muajve më parë kanë shkaktuar dëm, prandaj një objekt në të cilin punimet po vazhdonin, do të duhej të nisnin disa të reja, në vlerë prej 168 mijë e 496 euro. Dhe kjo u bë me procedurë negociuese dhe jo me tender të hapur, çka do të thotë se bie ndesh me nenin 34 të Ligjit për Prokurim Publik. Madje për këtë veprim kanë reaguar edhe KRPP-ja, të cilët kanë kërkuar nga Komuna ta shqyrtojë vendimin dhe për të njejtin, të realizojë procedurë thapur tenderuese.

Çka më gëzon sot, është fakti që kjo mendësi nuk do të vazhdojë më. Nuk do të ketë shpërblime dhe as favorizime për miqtë. Do të ketë projekte transparente, me qëllimin e vetëm, realizimin e kërkesave të qytetarëve.

Gjilani ka humbur shumë nga veprime të tilla. Mirë që ato i mbesin të kaluarës dhe ne po shikojmë dhe po ecim përpara