Krerët e shtetit sot bëjnë homazhe të busti i Bob Dole

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, të parin e Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe të ngarkuarin me punë në ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, sot në ora 14, do të bëjnë homazhe te busti i senatorit Bob Dole.

Bob Dole ka ndërruar jetë dje, në moshën 98 vjeçare.

Ai ishte një mik i dashur për Kosovën.

“E pikëlluar kur dëgjova për vdekjen e senatorit Bob Dole. Një hero lufte, një politikan i respektuar dhe një mbështetës i lirisë në të gjithë botën. Por në veçanti jemi mirënjohës që ai gjithmonë ka qëndruar pranë popullit të Kosovës në luftën tonë për pavarësi. U prehsh ne paqe mik i dashur”, shkroi presidentja Osmani dje.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti shprehi ngushëllime për vdekjen e Dole, duke e kujtuar si një përkrahës të domosdoshëm të lirisë së Kosovës.

”I pikëlluar thellësisht nga lajmi për ndarjen nga jeta të senatorit Bob Dole. Duke i dërguar ngushëllime të përzemërta familjes Dole dhe kombit amerikan, teksa vajtojmë dhe nderojmë një hero amerikan dhe një përkrahës të domosdoshëm të lirisë së Kosovës. U prehtë në paqe”, ka shkruar Kurti.