Në Spitalin e ri të Pediatrisë Kirurgjike “Sheikha Fatima”, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i cili u përuruar para rreth 3 muajve nga krerët më të lartë të shtetit, ende nuk ka ofruar as edhe një shërbim mjekësor. E funksionalizimi i tij ende nuk dihet se kur do të ndodhë, pasi nga ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se për këtë projekt është bërë vetëm pranimi ceremonial por jo edhe aprovimi teknik.
Zyra për medie e MSh-së në një përgjigje për KosovaPress, thonë se kanë themeluar mekanizmat për zbatimin e këtij projekti, për të cilën fillimisht duhet të propozohet pranimi teknik, të aprovohet e më pastaj të nisin me përgatitjet për funksionalizim.
Po ashtu në këtë përgjigje thuhet se duhet një plani i veprimit që parasheh funksionalizimin e çdo shërbimi në këtë spital.
“Ministria e Shëndetësisë në vitin 2020 ka themeluar mekanizmat për zbatimin e projektit të Spitali Pediatrik donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabet, komitetin drejtues dhe njësinë për zbatimin e projektit. Njësia për zbatimin e projektit duhet të rekomandoj pranimin teknik dhe pastaj komiteti drejtues ta aprovoj. Kohë më parë është bërë pranimi ceremonial, ndërsa pas aprovimit teknik do të fillohet me përgatitjet për funksionalizim, përmes një plani të veprimit që parasheh funksionalizimin e çdo shërbimi të paraparë në këtë spital, në përputhje me infrastrukturën e tij dhe resurset njerëzore që duhet angazhuar aty”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë .
Pediatri i Klinikës së Pediatrisë, Ramush Bejiqi u shpreh se donacioni i Emirateve të Bashkuara Arabe nuk ka qenë i mjaftueshëm që ky spital të ofrojë shërbimet spitalore. Për çka ai tregoi se tashmë Emiratet Arabe kanë ndarë edhe një shumë tjetër për këtë spital.
Ai shpreson që shumë shpejt pacientët do mund të marrin shërbime moderne mjekësore në këtë spital.
“Mjetet financiare të cilat kanë qenë donacion kanë qenë aq mirë të shfrytëzuara asgjë nuk ka mbetur mangu, por nuk kanë qenë të mjaftueshme për sistemin informativ dhe komunikim në spital dhe për pajisjet kirurgjikale dhe është bërë kërkesë e re shikoni ato janë procedura të prokurimit të cilat kanë kaluar në sistemin e Emirateve Arabe të gjitha mjetet janë lejuar kemi marr mjete shtesë nga Emiratet Arabe për pajisjen e Klinikës me sistemin informativ dhe komunikim dhe për pajisjet për Kirurgjinë e Fëmijëve. Dhe unë shpresoj që shumë shpejt Klinika e re do të hapet dhe do jetë në shfrytëzim”, theksoi ai.
Kurse, nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës thotë se për të funksionuar ky spital pediatrik me pajisje mjaftë moderne, nuk ka kuadro mjekësor.
Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla u shpreh se është për të ardhur keq, pasi investimet janë enorme dhe paisjet janë mjaftë moderne, por ka pak profesionistë që mund të punojnë me ato pajisje.
“Kosova ka mungesë të kuadrove që mund ta ushtrojnë atë detyrë në QKUK, janë 51 anesteziologë dhe aty është Kirurgji Pediatrike, plus duhet të ketë specializime specifike me të cilat duhet me u marrë, andaj nuk është menduar mirë siç nuk po mendohet se fushatat politike po dalin po ndërtojnë spitale por spitalet duhet me mirëmbajt dhe duhet me funksionuar me dikë. Nuk mundemi ne me funksionalizuar diçka për të cilin ne nuk kemi kuadro. Andaj, është për të ardhur keq, investimet janë enorme, janë shumë moderne, mirëpo kemi pak profesionistë që mund ta ushtrojnë këtë detyrë“, u shpreh Syla.
E nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë kërkojnë që çdo pengesë për funksionalizimin e spitalit pediatrik kirurgjik “Sheikha Fatima”, duhet të eliminohet.
Kryetari i kësaj shoqate, Besim Kodra tha se tani është dashur të ndaj edhe buxhet shtesë për këtë spital me qëllim që sa më shpejt fëmijët e sëmurë të marrin shërbime cilësore spitalore.
“Faktikisht ai është një gabim në hapa për shkak se ai spital është përuruar ende pa i plotësuar si me thënë të gjitha kriteret për funksionalizim edhe ne konsiderojmë se tani është dashur të ketë buxhet shtesë i cili është i nevojshëm për plotësimin e kushteve që aty veçse të filloj puna[…]Nuk është e mirë që ne të përurojmë spitale dhe të premë shirita dhe të mos mund të punojmë në to, ajo që është e nevojshme çdo mungesë e cila ekziston për funksionalizimin e atij spitali duhet të eliminohet në mënyrë që fëmijët sa më shpejt të kenë një trajtim të dinijetetshëm në atë institucion[…]Deri më tani ka pasur kushte të padinjiteteshme për trajtimin e fëmijëve tani kemi një spitali i cili është i një standardi shumë të lartë prandaj është shumë e nevojshme që sa më shpejt të funksionalizimet ky spital dhe fëmijët të fillojmë më në fund një trajtim të dinjitetshëm, gjithashtu duhet të eliminohen edhe mangësitë e stafit dhe çdo mangësi tjetër dhe fëmijët të marrin trajtim sa më cilësor dhe të sigurt”, u shpreh Kodra.
Ish-presidentja, Atifete Jahjaga dhe Maitha Al Shamsi, ministre e shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe, më 21 mars të vitit 2016, kishin vënë gurthemelin e Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, në hapësirat e QKUK-së. Realizimi i këtij projekti ishte paraparë të përfundojë në vitin 2018.